Pacolli vazhdon lobimin në OBI

02.03.2019 18:52:02

Zëvendëskryeministri, Behgjet Pacolli, po vazhdon lobimin intenziv nëpërmjet takimit të dhjetëra homologëve të tij, që po marrin pjesë dhe përfaqësojnë vendet e tyre në sesionin e 46-të të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të OBI-it, dhe e cila po i zhvillon punimet në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Abu Dhabi.

Takimet bilaterale me ministrin e Jashtëm të Maldiveve, Abdullah Shahid, atë të Omanit, Yusuf bin Alawi bin Abdullah, Gabonit, Kambogo Abdu Razzaq Guy dhe Sierra Leone-s, Dr. Alie Kabba kanë qenë aktivitetet e tjera të pasditës së sotme në margjina të punimeve të ditës së dytë të sesionit të 46-të të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të OBI-it, njofton Klan Kosova.

Në të gjitha këto takime, Pacolli, i ka falënderuar shefat e diplomacive të këtyre shteteve për mbështetjen, që i kanë dhënë vendit tonë në proceset e shtet-ndërtimit, ka shkëmbyer pikëpamjet për shikimin e mundësive të thellimit dhe zgjerimit të mëtejmë të bashkëpunimit me shtetet njohëse, përderisa ka kërkuar përkrahje për agjendën multilaterale të Kosovës, shpeshtim të kontakteve të drejtpërdrejta dhe ndërtim të partneriteteve të reja edhe me shtetet jo-njohëse.