Nga Rexhep Kastrati
Pal Lekaj, duket se po kujton mos po mbesin keq pa marr diçka nga jejona pozitive e ndalimit të trenit serb nga institucionet e shtetit të Kosovës, u ngut të lëshojë pallavrat e radhës. Dhe nuk kishte si të mos vepronte ndryshe kur edhe Hashim Thaçi u mundua paturpësisht të mirrte mieritat për ndaljen e trenit. Mirëpo, ngaqë AAK nuk është në pushtet, nuk kishte si të thoshte se Ramushi ka urdhëruar nga Franca që të ndalej treni, prandaj ia futi një pallavër që do ta bënte edhe Jaguan të turpërohej: arrestomi i Ramushit është bërë, sepse se ai është i vetmi që mund t’ia ndalte turrin Serbisë! Po a ka më marre sesa të thuash kështu, kur jo Ramushi, po askush nga Kosova nuk do të mund t’ia ndalte turrin Serbisë? Çka do të bënte Ramushi po të ishte në Kosovë: do të mobilizonte njerëz për të shkuar në veri? Do të niste luftë me Serbinë? Do të anashkalonte institucionet e shtetit dhe do të vepronte jashtë tyre? Dhe a nuk është pikërisht synimi i Serbisë që shqiptarët t’i nxjerrë jashtë sistemit, jashtë institucioneve dhe t’i kthejë në nivel tribal? A nuk po thotë krejt bota se Serbia dhe Rusia duan luftë në Kosovë dhe rajon? Në këtë kontekst, a nuk po del ajo që ka thënë Pali pikërisht ajo që do Serbia?
Në anën tjetër, shqiptarët e kanë të qartë se Kosova ka vetëm një rrugë për ta gjunjëzuar Serbinë dhe për t’ia ndalë turrin përfundimisht: rruga e fuqizimit të institucioneve të shtetit dhe bashkërendimi i plotë me partnerët tanë ndërkombëtarë. Dhe janë pikërisht institucionet shtetërore në bashkërendim me bashkësinë ndërkombëtare që e gjunjëzuan Serbinë të shtunën, duke e detyruar që trenin e nisur për Kosovë, ta kthente nga Rashka për në Beograd. Dhe vetëm në këtë mënyrë Serbia mund dhe do të gjunjëzohet dhe do t’i ndalet turri. Format jashtinstitucionale, tribale dhe parapolitike vetëm sa ia rritin turrin Serbisë që të futet ko vetëm në veri, por edhe deri në kufi me shtetin shqiptar. Dhe këtë e dijnë të gjithë shqiptarët, ashtu siç e kanë ditur edhe më parë.
Dhe shqiptarët e kanë ditur dhe e kanë provuar edhe gjatë luftës dhe pas saj, dhe ende e kanë të freskën spastrimin etnik, masakrat serbe, por edhe “heroizmat” e gjithësecilit. Dhe Ramushi ka qenë pjesë e luftës, por dukagjinasit dhe në përgjithësi shqiptarët nga ajo periudhë mbajnë mend dy beteja ku është gjunjëzuar dhe ku i është ndalë turri Serbisë: beteja e Logjës dhe beteja e Koshares, të dyja të projektuara dhe të realizuara nga forcat ushhtarake institucionale. Pra, Ramushi e pati mundësinë t’ia ndalte turrin Serbisë qoftë në Dukagjin, qoftë edhe në veri, por jo që nuk ia ndali turrin Serbisë, por ia ndalën turrin njësiteve të UÇK-së për të kaluar në veri. Dhe pse Kosova është ndarë mbi baza etnike, pra edhe veriu, është përgjegjësi edhe e Ramushit, sepse si ishte pjesë e rëndësishme e të njëjtave struktura komanduese që ndalën turrin e UÇK-së për të shkuar në veri.
Edhe pasluftës ishin 15 vjet kohë për t’ia ndalë turrin Serbisë, sepse gjatë atyre viteve qeveritë i kishin në dorë PDK dhe AAK. Mirëpo jo që nuk iu ndal turri Serbisë, por iu rrit turri i bizneseve dhe trafiqeve me të. Veriu i Kosovës u pat shndërruar në qendër kryesore të krimit ekonomik dhe politik, e ku bosët kryesorë ishin dhe janë bosët kryesorë të strukturave mafiozo-politike. Përveç, këtyre, jo që nuk ia ndalën turrin Serbisë, por ia rritën turrin që forcat policore të Serbisë të operojnë në veri si midis Kraleve. Dhe janë të gjitha këto që Serbisë ia kanë rritur turrin ndaj Kosovës, sa që edhe 18 vjet mbas luftës, Kosova nuk e ka të shtrirë pushtetin dhe nuk e ushtron plotësisht sovranitetin në tërë territorin e saj.
Për fund, Palit mund t’i them se Ramushi mund t’ia ndalë turrin vetëm makinave të Palit, kurse Serbisë ia ndalin turrin institucionet shtetërore të Kosovës në bashkërendim me aleatët tanë strategjikë.






































