Paloka: Ministrat u hoqën pas presionit të çadrës

16.03.2017 23:20:06

Kreu i Grupit Parlamentar demokrat, Edi Paloka, ka thënë nga çadra e protestës së opozitës se ora e fitores po troket.

Ai tha se kryeministri Rama u detyrua të shkarkojë ministrat e tij, vetëm pas presionit të çadrës. Paloka, duke iu referuar ndryshimit në ministrinë e Brendshme, shtoi, se iku i riu ‘i krimit’  dhe erdhi “i vjetri” i krimit.

“Sigurisht presioni i çadrës është absolut sepse përndryshe do i kishte hequr dhe më parë. Sigurisht që i hoqi nën presion por aq i ndyrë sa është edhe pse hoqi Tahirin, juniorin e krimit, të gjithë i dimë vlerat e tij që mbushi Shqipërinë me kanabis, vendosi seniorin e krimit, të vjetrin e krimit Fatmir Xhafa,  hetues ndër më të këqijtë të njerëzve të Enverit. Vëllai i trafikantit të drogës. I njohur botërisht dhe denoncuar mijëra herë. Ndërkohë që ishte ministër i Drejtësisë i vëllai i tij kërkohej nga Venezuela deri në Europë dhe ky si ministër përpiqej t’i zhdukte letrat, – tha Paloka. –  Këto janë meritat pse Rama e vuri ministër të Brendshëm, sepse i duhet të tregojë se lidhjet e tij me të krimin nuk janë të shkëputura madje më të forta madje me krimin vjetër. Thjesht kanë ndryshuar bandat, nga ato të Tahirit në bandat e Fatmirit”.