Pandemia e COVID-19, mbi 1.8 milion njerëz të infektuar në mbarë botën – numri i të vdekurve shkon në 114.254

13.04.2020 08:08:59

Pandemia e COVID-19 është duke vazhduar të bëjë kërdinë nëpër botë, dhe këtë më së miri e dëshmojnë shifrat më të fundit të infektuarve dhe vdekurve në vende të ndryshme duke filluar nga SHBA-të, Italia, Spanja, Franca, Gjermania e deri te Britania e Madhe.

Deri më tani në mbarë botën me COVID-19 janë prekur 1.853.464, kurse 114.254 kanë humbur jetën

Megjithatë edhe numri i atyre që janë shëruar është relativisht i lartë – ku deri më tani ka shkuar në 423.721 persona që janë shëruar në mbarë botën nga coronavirusi.

Në SHBA janë infektuar 560.433 persona, kurse 22.115 tjerë kanë humbur jetën nga coronavirusi. Hiq më mirë nuk qëndron as Italia, ku kanë humbur jetën 19.899, kurse 156.363 tjerë janë prekur me COVID-19.

E në Spanjë që po konsiderohet si vendi i dytë më i prekur në Evropë pas Italisë, deri më tani kanë humbur jetën 17.209 persona dhe 166.831 tjerë janë infektuar.

Franca ka të regjistruar 132.591 persona të prekur nga coronavirusi si dhe 14.393 të vdekur, ndërkaq shteti tjetër evropian – Gjermania ka të regjistruar 127.854 persona të infektuar. Në këtë vend deri më tani kanë humbur jetën 3.022 persona.

Një nga vendet më të prekura është edhe Britania e Madhe, vend ky në të cilin deri më tani kanë humbur jetën 10.612 persona si dhe 84.279 tjerë janë infektuar.