Parandalimi i ekstremizmit në Kosovë, kërkohet riintegrim i të radikalizuarve

23.08.2016 15:45:54

Njohësi i çështjeve të sigurisë në Kosovë, Burim Ramadani ka deklaruar se Kosova tashmë ka ndërmarrë masa në disa nivele, sa i përket ekstremizmit në vend.

Në një prononcim për “Indeksonline”, Ramadani ka thënë se Kosova ka avancuar sa i përket kornizës ligjore. Sipas tij, janë marrë hapa të rëndësishëm, ku janë arrestuar e dënuar persona që kanë tentuar të marrin pjesë në luftërat jashtë vendit.

“Kosova ka filluar ndërmarrjen e masave në disa nivele.  Në aspektin e parë hyn korniza ligjore, në të cilën Kosova ka avancuar dhe ka bërë angazhime të rëndësishme. Në aspektin e dytë hyn veprimi i mekanizmave të zbatimit të ligjit dhe të drejtësisë. Në këtë kuptim, Kosova po ashtu ka bërë hapa të rëndësishëm duke arrestuar, akuzuar dhe dënuar persona të ndryshëm, ndërsa të tjerë janë në procedurë gjyqësore”, është shprehur ai.

Ramadani ka shtuar se nevojitet më shumë angazhim shoqëror dhe institucional sa i përket përdorimit të mekanizmave për riintegrimin e të radikalizuarve.

“Në aspektin e tretë hyn përdorimi i mekanizmave të butë apo parandalimi, e më pas rehabilitimi dhe riintegrimi i të radikalizuarve. Tek kjo pjesë, mbetet më shumë për angazhim të përbashkët shoqëror dhe institucional”, ka thënë Ramadani për Indeksonline.

Ndryshe, ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni teksa ka qëndruar dje në Gjilan, ka deklaruar se Kosova vitin e fundit është vlerësuar për parandalimin e ekstremizmit dhe terrorizmit, por përkundër kësaj ai ka thënë se vendi duhet të qëndrojë i mobilizuar.