Parashikimi apokaliptik: Baton Haxhiu ka thënë sivjet, atë që Serbia e ka thënë vjet

25.03.2017 08:40:38

Nga Rexhep Kastrati

Kur ishte shprehur i shqetësuar për mundësinë që zgjedhjet t’i fitojë LDK nëse ato mbahen pas marsit 2017, Baton Haxhiu kishte shpërfaqë krizën e thellë emocionale dhe psikologjike në të cilën ndodhën dy linjat: linja e Tiranës/Kretës dhe ajo udbasho-jugosllavokomuniste si dhe korpusi medietik që kontrollohet nga to. Dhe kjo krizë emocionale dhe në përgjithësi psikologjike ka të bëjë me funksionalizimin e Gjykatës speciale, e cila do të nxjerrë në shesh spiunët e agjenturave serbe, ruse dhe të agjenturave të tjera kundërshqiptare, do të nxjerrë në shesh krime të bëra nga shqiptarët ndaj shqiptarëve, do të nxjerrë në shesh edhe dosjet që shokët apo ish-shokët i kanë bërë njëri-tjetrit. Pra, do të zhveshë nga aureola e heronjve ata që në emër të luftës dhe të lirisë bënë njëqindmijë të zeza dhe dëme kundër shqiptarëve, kundër Kosovës dhe interesave kombëtare, dhe do t’i nxjerrë në fytyrën e vërtetë të kundërheronjve dhe të spiunëve të ndryshëm të agjenturave kundërshqiptare, si dhe përkatësinë në strukura mafiozo-politike që kontrollohen, po ashtu, nga agjentura kundlrshqiptare. Dhe kuptohet do të dalë në pah se dy linjat: linja e Tiranës/Kretës dhe ajo udbasho-jugosllavokomuniste bashkë me korpusin medietik janë shfaqur vetëm për projektin serbo-rus të komprometimit të luftës çlirimtare, që në emër të saj të ndahet Kosova, të komprometohet çështja shqiptare, të instalohet një garniturë politike kryesisht spiunësh dhe mafiozësh ordinerë që të fshehur nën maskën e heronjve do të zhbënin platformën kombëtare të presidentit Rugova dhe të lëvizjes për liri, pavarësi, demokraci. Dhe fakti se në emërtime dhe dokumente të pjesëtarëve të tyre nuk figuron emërtimi republikë për Kosovën, është një dëshmi e synimit të tyre për rrënimin e Republikës dhe për shndërrimin e Kosovës në terra nulis, që do t’i ekspozohej pazareve të ndryshme në dëm të saj dhe të shqiptarëve.

Të gjitha këto, natyrisht se nuk u leverdisin as këtyre dy linjave, as Serbisë, Rusisë dhe aleatëve të tyre, prandaj edhe shohin këtu fundin e keq, shohin atë që e ka thënë Xhejms Rubin më 2013, fundin pa nder të këtyre njerëzve, e me këtë edhe të projektit serb dhe në përgjithësi sllavo-ortodoks për dështimin e projektit të përbashkët shqiptaro-amerikan dhe me aleatët tjerë strategjikë euro-atlantikë për shtetin e Kosovës, dhe për rihapjen e ndryshimit të kufijve në rajon në dëm të shqiptarëve. Gjatë tërë këtyre viteve, pra që nga kohë e luftës e këndej kam tërheqë vërejtjen për këto qëllime të dëmshme për shqiptarët dhe për rajonin. Viteve të fundit, kur edhe angazhimet për ndryshimin e kufijve në rajon në dëm të shqiptarëve janë intensifikuar, e kam theksuar në vazhdimësi faktin se gjithçka që bëhej në Kosovë, në Maqedoni me synime edhe në Kosovë Lindore dhe në Mal të zi, në aspektin e tensionimit të situatës, destabilizimin e rajonit, është pjesë e skenarëve sllavo-ortodoksë për ndryshimin e kufijve në rajon në dëm të shqiptarëve. Dhe këto angazhime i kam denoncuar edhe gjatë luftës në Maqedoni, kur kam bërë të qartë se qëllimi është pikërisht ky dhe kam vënë në pah bashkërendimin ndërmjet Shkupit dhe Beogradit.

Dështimi i përpjekjeve të gjertanishme për destabilizimin e Kosovës dhe të rajonit, përkundër të gjitha formave të veprimit dhe të luftës speciale, qoftë në Kosovë, qoftë edhe në rajon, dhe afrimi i ditës kur do të funksionalizohet Gjykata speciale, ka rritur tepër shumë shqetësimet në Serbi, Rusi, por edhe në Francë dhe te aleatët tjerë të Serbisë, sepse në këtë mënyrë po e shohin se janë duke dështuar të gjithë skenarët ogurzinj. Prandaj, janë heqë maskat: Serbia me spiunët e saj, Rusia me spiunët e saj, Franca me spiunët e saj dhe gjithë aleatët e tyre me spiunët e tyre janë të angazhuar fort, ama shumë fort, dhe nuk e kanë fshehur fare, por e kanë deklaruar hapur se duan të rrëzojnë institucionet e shtetit të Kosovës.

Më parë është vënë në dukje veprimtaria e Dragana Trifkoviqit, spiunes serbe të FSB-së, por ajo është vetëm njëra nga të shumtët që janë të angazhuar me politikanë të njohur të Kosovës dhe të rajonit për ta destabilizuar Kosovën dhe rajonin. Në fund të vitit të klauar, Vulin e kishte thënë hapur se Qeveria e Kosovës duhet të bjerë, sepse Kosova duhe të destabilizohet, sepse duhet të pengohet funksionalizimi i Gjykatës speciale, sepse nuk duhet të dalë e vërteta për Kosovën, për rajonin dhe për komplotet e ndryshme kundërshqiptare, kundëramerikane dhe kundëratlantike. Në planet sllavo-ortodokse çështja e Gjykatës speciale nuk ka qenë çështje që u ka interesuar të realizohet, por më tepër ka qenë dhe është çështje dhe mundësi për të destabilizuar Kosovën dhe rajonin. Rasti i Kumanovës është një nga rastet që dësmojnë për këtë. Pra, Serbia, Rusia dhe aleatët e tyre nuk duan të funksionalizohet Gjykata speciale, por qëllimi ka qenë që nëpërmjet kësaj çështjeje të fusë përçarje brendashqiptare në aspektin e atyre që janë gjoja në mbrojtje të UÇK-së, e që kundërshtonin miratimin e saj nga Kuvendi i Kosovës, dhe të atyre që janë kundër UÇK-së, e që janë për Gjykatën speciale. Dhe me këtë synohej të goditej Qeveria dhe LDK-ja që e drejton atë, në frymën e akuzave që nga lufta se gjoja ajo është kundër UÇK-së. Nëse është vënë re, edhe Hashim Thaçi ka riaktualizuar këto akuza me rrenën se LDK ka penguar transformimin e FSK-së në FA më 2014, me refuzimin e vendeve të rezervuara.

Dhe kjo është në frymën e shqetësimit të Baton Haxhiut se nëse zgjedhjet do të mbahen pas marsit 2017, ka rrezik t’i futojë LDK, e që do të thotë se shqetësimi i tij nuk ka qenë një shqetësim personal, por shprehje e shqetësimit të dy linjave: linjës së Tiranës/Kretës dhe asaj udbasho-jugosllavokomuniste dhe korpusit medietik të kontrolluar nga ato dhe në përgjithës nga strukturat mafiozo-politike. Prandaj, edhe parashikimi apokaliptik se në qershor do të ndodhin gjëra të rënda, nuk është një parashikim personal i tij, por dy linave të lartpërmendura dhe i agjenturave kundërshqiptare në përgjithësi. Dhe është e qartë se do të bëhet gjithçka që të destabilizohet vendi dhe rajoni, ashtu siç është bërë deri më tash, dhe kjo nuk është ndonjë gjë e paditur dhe e paparashikueshme. Ajo që duhet thënë se parashikimi apokaliptik i Baton Haxhiut është i njëjtë me parashikimet dhe paralajmërimet e Serbisë gjatë vitit të kaluar se në gusht do të ketë luftë. Së këndejmi, parashikimi dhe paralajmërimi apokaliptik i Baton Haxhiut a e ka burimin në Beograd?