Parcelat me kanabis në Rinas

05.09.2016 17:58:04

Policia e Krujës ka reaguar sot pas deklaratës së PD-së lidhur me parcelat me rreth 50 mijë rrënjë kanabis që ndodhen në afërsi të aeroportit të Rinasit, parcela që sipas PD-së mbrohen nga njerëz të kryebashkiakut të Krujës, Artur Bushi.

Sipas njoftimit, policiae Krujës thotë se në bashkëpunim me Prokurorinë e Krujës, të nisur në 12 korrik 2016 ka arrestuar shtetasin Edmond Cangu, 28 vjeç dhe ka shpallur në kërkim shtetasit K.Ç. 32 vjeç dhe Gj.T. 49 vjeç, për veprën penale të “Kultivimit të bimëve narkotike”.

Në kuadër të këtij procedimi, thuhet në reagimin e policisë duke filluar nga datat 4 shtator 2015, janë asgjësuar 2 parcela me 5.400 bimë narkotike të kultivuara në fshatin Larushk, Krujë.Deklarata thekson se ndryshe nga sa deklaron Partia Demokratike këto parcela nuk janë në mbrojtje të Policisë së Shtetit, por procedimet kanë nisur disa javë më herët dhe synojnë jo vetëm asgjësimin, por edhe dokumentimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të aktivitetit anti-ligjor.  Prej dy ditësh PD ka publikuar foto dhe video nga këto parcela me rreth 50 mijë rrënjë që ndodhen 2 km larg aeroportit të Rinasit.