Parlamenti studentor në UKM të mos jetë organizatë joqeveritare (Video)

06.10.2016 17:55:43

2615 studentë thanë “jo” që Parlamenti Studentor të mbetet organizatë joqeveritare në referendumin e djeshëm të organizuar nga Plenumi Studentor. “Pro” votuan vetëm 137 studentë ndërsa 15 fletëvotime ishin të pavlefshme. Nga Plenumi Studentor thanë se me këto zgjedhje, studentët e Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, vendosën se çfarë organizimi studentor duan.

“Referendumi në përgjithësi kaloi qetë, por duhet të theksohet se në disa fakultete, anëtarët e Parlamentit Studentor kanë ushtruar trysni ndaj studentëve që të mos votojnë, kanë ushtruar trysni edhe mbi Komisionin Zgjedhor që mos t’i numërojë votat dhe ka pasur trysni edhe mbi studentët rreth karakterit të këtij referendumi, edhe pse në dy-tre konferenca për shtyp nga Plenumi Studentor theksuan se referendumi është i padetyrueshëm dhe me karakter joformal”, u shpreh për Tv21, Dea Zdravkovska, nga Plenumi Studentor.

Goran Tanevski nga Plenumi Studentor, tha se është e nevojshme që Senati i UKM-së të marrë vendim për reformimin e plotë të organizimit studentor, në kuadër të Universitetit.

“Hapi i ardhshëm është vendimi i Senatit. Në korrik të vitit të kaluar, u formua komision ku morën pjesë Plenumi Studentor dhe Parlamenti Studentor. Komisioni nuk arriti të sjellë një vendim unanim, respektivisht një propozim unanim deri te Senati. U votuan vetëm dy propozime, për të cilat Senati duhet të vendosë dhe shpresojmë të sjellë vendim gjatë këtij muaji”, tha Goran Tanevski, nga Plenumi Studentor.

Sipas Tanevskit, nëse Senati nuk merr vendim, atëherë të gjitha fakultetet – njësitë e Universitetit, kanë obligim ligjor t’i miratojnë rregulloret për vetorganizimin studentor. Nga Plenumi Studentor, thonë se nëse senatorët veprojnë sipas kërkesës së studentëve dhe Parlamenti Studentor i UKM-së bëhet pjesë e Universitetit, atëherë studentët do të kenë kontroll mbi paratë e Parlamentit dhe në të gjitha vendimet e tij, me ç’rast siç thanë, do të ndalohet arbitrariteti i Parlamentit Studentor të UKM-së. Nga Parlamenti Studentor nuk deshën të japin asnjë koment në lidhje me këtë çështje. Lideri i Parlamenti Studentor, Davor Popovski, nuk deshi ta komentojë referendumin e djeshëm. Të mërkurën e ardhshme, Plenumi Studentor do të organizojë një plenum të hapur në oborrin e Universitetit ku do t’i ftojnë të gjithë studentët, me qëllim që, siç thonë, të vazhdojnë betejën kundër Parlamentit Studentor dhe për t’u dakorduar për hapat e ardhshme.