Partia Demokratike e Kosovës po vazhdon me procesin e brendshëm zgjedhor

03.02.2019 16:03:06

Partia Demokratike e Kosovës përmes një njoftimi ka bërë të ditur se po vazhdon procesin e brendshëm zgjedhor, ndërsa në këtë javë janë mbajtur dhjetëra kuvende të nëndegëve në të gjitha komunat e Kosovës, “me pjesëmarrje të madhe të delegatëve të të gjitha profileve që i janë bashkuar PDK-së dhe vizionit të kryetarit Kadri Veseli për platformën Dekada e Re”.

Sipas kësaj partie, vetëm në nëndegën e PDK-së lagjen Korillë të Prizrenit morën pjesë 386 delegatë, ku kryetari i nëndegës u zgjodh Erven Fusha, si dhe organet tjera drejtuese.

“Qindra delegatë kanë marrë pjesë edhe në proceset zgjedhore në nëndegët e Skenderajt, Deçanit, Rahovecit, Prizrenit, Klinës, Vitisë, Kamenicës, Vushtrrisë, Suharekës dhe degë të tjera, të cilat kanë hyrë në dinamikë të shtuar për të përmbyllur procesin e brendshëm zgjedhor i cili do të rezultojë me zgjedhjen e strukturave të reja të PDK-së në 1200 nëndegë në gjithë vendin”, thuhet në njoftim dhe shtohet se deri tani PDK ka përmbyllur me sukses zgjedhjet në 420 nëndegë.

“Ndërkaq, gjatë mbajtjes së dhjetëra kuvendeve të nëndegëve, në fshatin Studenicë të Istogut, mbrëmë, procesi zgjedhor është përcjell me parregullsi, andaj është ndërprerë dhe pritet të vijoj ditëve të ardhme, në pajtim me Rregulloren për zgjedhje të brendshme. Gjatë procesit të zgjedhjeve të brendshme, PDK-së i janë bashkuar shumë anëtarë të rinj, intelektualë, studentë, mjekë, inxhinierë, bujq, arsimtarë dhe profile të tjera”, përfundohet në njoftimin e PDK-së.