Partizani e Skënderbeu në të njëjtin avion drejt Antalias

06.01.2017 13:19:09

Dy rivalë të përbetuar në kampionat. Në njërën anë kampionët në fuqi, me rekordin e gjashtë titujve radhazi dhe në krahun tjetër skuadra që synon ti shkurorëzojë për ti zënë vendin. Por, jeta dhuron gjithmonë surpriza dhe pavarësisht duelit e shigjetimeve në distancë, Skënderbeu dhe Partizani e panë veten përkrah në të njëjtin avion drejt Antalias, ku skuadrat do të zhvillojnë fazën përgatitore.

Të kuqtë ishin të parët që u paraqitën në aeroport, ku së bashku me skuadrën udhëtoi edhe Xhevahir Sukaj, që mbetet në pritje të prishjes së kontratës në Malajzi, për tu bërë me efekt të plotë pjesë e kryeqytetasve. Starova shoqërohej gjatë gjithë kohës nga asistenti i tij, Klevis Dalipi dhe drejtori i klubit, Genc Tomori, e ndërsa lojtarët po kryenin check-in, në aeroport u shfaqën edhe futbollistët e Skënderbeut.

Rivaliteti në fushë dhe në garën për titullin ndihej në ajër, me lojtarët që fillimisht qëndruan të distancuar. Për të thyer akullin mendoi Boniface, i cili kaloi disa minuta me ish-shokët e ekipit te Skënderbeu, mes përqafimeve dhe batutave. Situata u shtensionua nga Labinot Ibrahimi, i cili nuk nguroi të takonte miqtë e tij te korçarët, Liridon Latifin dhe Bajram Jashanicën. Me dy skuadra rivale në të njëjtin avion, pyetja do të ishte çfarë mund të ndodhte, nëse aty hidhej një top.

Gjithsesi, jashtë fushe dhe në avionin drejt Antalias, çdo gjë ia lë vendin miqësisë.

Takimet miqësore vijuan edhe me paraqitjen në aeroportin Nënë Tereza të trajnerit të ri të Skënderbeut, Ilir Daja dhe ndihmësit të tij, Ardian Mema. Starova dhe stafi i tij ishin të parët që i uruan për punën e nisur, ndërsa urimet vijuan edhe nga lojtarët: nga kapiteni i të kuqve, Alban Hoxha, për të vazhduar me Bathën, Vilën dhe Xhevahir Sukajn.

Edhe nëse dikush mund të ndihej paksa në siklet që do të udhëtonin së bashku me kundërshtarët, Partizani dhe Skënderbeu e harruan për pak kohë rivalitetin. Të paktën deri në rifillimin e kampionatit. Sepse në betejën drejt titullit, në fushë gjithçka do të vazhdojë aty ku u ndërpre në sfidën e 22 Dhjetorit të kaluar të fituar nga të kuqtë, për ti dhënë jetë një dueli spektakolar dhe plot emocione.