Pas formimit të Qeverisë, AAK mbetet me 7 deputetë, PDK-së i shtohen 2 e Nismës 1

05.09.2017 17:57:40

Pas formimit të Qeverisë së re, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) pritet të mbetet me numër më të vogël të deputetëve, për shkak se disa deputetë të saj do të marrin poste qeveritare, ndërsa vendin e tyre do e zënë deputetë nga PDK-ja e Nisma.

Ramush Haradinaj do të zgjidhet kryeministër, ndërsa ulësen e tij në Kuvend do ta zë anëtari i PDK-së, Nait Hasani i cili është në listën e pritjes, me 9578 vota të mara në zgjedhjet e qershorit, shkruan lajmi.net

Poste qeveritare pritet të marrin edhe deputetët tjerë të AAK-së: Pal Lekaj, Rrustem Berisha e Ali Berisha. Vendet e tyre në Kuvend do t’i zënë: Fadil Beka i PDK-së (9234 vota), Enver Hoti i Nismës (9182 vota) dhe Gani Dreshaj i AAK-së (9180 vota).

Kështu, AAK mund të mbetet me 7 deputetë, PDK-së do t’i shtohen dy, ndërsa Nismës një deputet.

Nga PDK-ja nuk pritet që ndonjë deputet të marr poste qeveritare. Ndërsa ende nuk dihet nëse ndonjë deputetë i Nismës do të jap dorëheqje për të kaluar në ekzekutiv. Por, që në listën e pritjes janë: Bekë Berisha dhe Muharrem NItaj, që nënkupton se nëse ndonjë deputet nga PDK-ja ose Nisma apo edhe AAK-ja dorëhiqet, atëherë Berisha e Nitaj do të ulen në ulësen e deputetit.