Pas nominimit të Vjosa Osmanit, takohen LDK dhe VV – po bisedojnë për koalicionin e mundshëm

26.08.2019 18:41:55

Menjëherë pas nominimit të Vjosa Osmanit për kryeministre të Kosovës, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, është duke zhvilluar një takim me përfaqësuesit e Vetëvendosjes.

Takimin e ka konfirmuar për Telegrafin, anëtari i kryesisë së LDK-së, Lumir Abixhiku.

“Po është duke u zhvilluar një takim mes Isa Mustafës, Vjosa Osmanit, Lutfi Hazirit me përfaqësuesit e Vetëvendosjes. Takimi është duke u zhvilluar dhe po flitet për një bashkëpunim të mundshëm para ose pas zgjedhor”, tha ai.

Kujtojmë që LDK në mbledhjen e kryesisë të mbajtur sot ka vendosur që Vjosa Osmani të jetë kandidate për kryeministre.

Po ashtu vlen të përmendet, se kryetari i LDK-së, Isa Mustafa dhe ai i Vetëvendosjes, Albin Kurti kanë zhvilluar takime edhe më herët, ku kanë shprehur disponimin për të bashkëpunuar.

Ndryshe, presidenti i Republikës sё Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrё sot vendim për shpalljen e zgjedhjeve tё parakohshme për Kuvendin e Republikës sё Kosovës dhe ka caktuar ditën e diel, 6 tetor 2019, datë për mbajtjen e zgjedhjeve.

Sipas njoftimit për media në vendimin e nënshkruar thuhet se “duke u bazuar nё pёrgjegjёsitё kushtetuese dhe ligjore, presidenti Thaçi ka marrё vendim që zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës sё Kosovës tё mbahen mё 06 tetor 2019”.