Pas takimit me Lajçakun, Thaçi: Sa më shpejt të ketë liberalizim të...

Pas takimit me Lajçakun, Thaçi: Sa më shpejt të ketë liberalizim të vizave, dialogu të përfundojë me njohje reciproke

16.06.2020 17:35:32

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka deklaruar sot se procesi i dialogut me Serbinë duhet të përfundojë me njohje reciproke, derisa ka konfirmuar pjesëmarrjen e palës kosovare në takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë.

Në një konferencë për media pas takimit me emisarin special të BE-së për dialogun Mirolsav Lajçak, kreu i vendit tonë tha se ka njoftuar diplomatin sllovak për reformat dhe progresin e arritunë Kosovë.

Ai tha se Kosova ka një të ardhme evropiane, për çka ka falënderuar të gjitha shtetet që e kanë njohur deri më tash vendin tonë.

“Diskutuam edhe për angazhimet që zoti Lajcak do t’i ketë për çështjen e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë. Çdo përpjekje që çon drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve që nënkupton paqe e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor është e mirëseardhur. E konfirmova pozicionin zyrtar të shtetit të Kosovës, ky proces duhet të fillojë me liberalizimin e vizave, dhe duhet të përmbyllet me njohje reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë”, tha Thaçi.

Duke folur rreth takimit në Uashington, presidenti Thaçi konfirmoi pjesëmarrjen e palës kosovare në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor.

“Ne kemi besim të plotë në SHBA. BE është vonuar në raport me procesin e liberalizimit të vizave dhe duhet të lëvizë më shpejtë. Më 27 qershor Kosova do të jetë në Shtëpinë e Bardhë dhe besojmë në angazhimet e sinqerta të administratës amerikane se në fund edhe SHBA dhe BE do të kenë koordinim të suksesshëm për Kosovën”, u shpreh Thaçi