Pas therjes me thikë në Cërrnicë të Gjilanit, reagon kryetari Haziri

31.12.2019 12:07:15

Në fshatin Cërnicë të Gjilanit të hënën ka ndodhur një therje me thikë, ku sipas Policisë i dyshuari, me të meta mendorë ka therur me thikë një person tjetër, të komunitetit serb.

Sipas Policisë, viktima është dërguar në QKUK dhe sipas mjekut, është jashtë rrezikut për jetë. I dyshuari fillimisht ndodhej në arrati, por pas përpjekjeve policore më vonë është arrestuar dhe në konsultim me prokurorin ndalohet për procedura të mëtejme.

Këtë akt e ka dënuar edhe kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, sipas të cilit është një rast i izoluar dhe nuk e prish në asnjë mënyrë bashkëjetesën e tolerancën ndëretnike.

Haziri e ka deleguar nënkryetarin e Komunës, Arbër Ismajli me ekipin e tij, të cilët e kanë vizituar sot familjen e viktimës, duke thënë se Komuna do t’i qëndrojë afër kësaj familje.