PD akuzon drejtuesit e policisë për parcelat e drogës

11.08.2016 14:44:56

Partia Demokratike ka vazhduar akuzat ndaj qeverisë dhe policisë për mbjelljen e kanabisit në vend.

“Kemi sot të dhëna të reja për hartën e drogës”, tha Paloka -“dhe mënyrën se si menaxhohet ajo nga njerëzit e Edi Ramës. Informacionet vijnë nga shërbimet partnere dhe shërbimet inteligjente të vendit”.

Kreu i grupit parlamentar, deklaroi se kryeministri vazhdon të heshtë edhe pse të gjithë sipas tij e dinë se ai është në krye të këtij biznesi. Nga selia blu, Paloka akuzoi drejtuesit e policisë për mbjelljen, rritjen, ruajtjen dhe trafikimin e drogës në gjithë vendin. Sipas Palokës, uji i Selitës po përdoret për ujitjen e arave me kanabis.
“Ish-shefi i Komisariatit Nr.4 në Tiranë, Fatmir Lleshi është transferuar drejtor në Berat, ku të dhënat tregojnë se ky qark ka numrin më të madh të rrënjëve të kanabisit në gjithë vendin. Të dhënat flasin se drejtori i SHISH në këtë zonë, është paguar më 270 mijë euro që të mos raportojë parcelat me drogë”, tha Paloka. Sipas tij, “Dritan Lena, që me Edi Ramën u bë drejtor i policisë së Qarkut Lezhë, u hetua nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, kur ishte shef i krimeve tek komisariati 4, dhe rezultoi se kishte marrë shuma parash nga një grup trafikantësh të drogës që kishin tre parcela hashashi në zonën e Zall Bastarit”, tha deputeti demokrat.

Ai shtoi se, “në Tiranë është mbuluar me kanabis e “Çara e Selitës”, përballë “Qaf Mollës” – “Mali Dajt”. Pranë varrezave të Shish-Tufinës është hapur sipërfaqe me 60 dynymë për drogë, ku janë prerë pishat e larta. Merret dhe uji i pishëm i Selitës për të vaditur kanabisin. Fshatarët janë mashtruar dhe trafikantët kanë ngritur stalla gjoja për blegtori, po në fakt mbi 60 punëtorë merren me bimët narkotike. Raportohen 150 mijë deri në 200 mijë rrënjë”.

“Në liqenin e “Kollogjesht” – “mali Dajt” – në kufi me Elbasanin dhe Librazhdin, janë liruar zona të mëdhaja me fadroma, për kanabis. Ruhen me njerëz të armatosur. Në “Zallbastar” dhe “Zgurë”, Alban Ahmetaj, ish-drejtor i forcave operacionale, ka në zotërim parcela të tëra që ruhen nga një ish-agjent krimesh, Hysni Mancaku. Në Ersekë, ka mbi 80.000 rrënjë të mbjella në zonat Starje, Rehove dhe Leskovik. Shefi Komisaritit Ersekë, Robert Ibraimi, shefi Komisariatit Devoll, Erjon Birçe, shefi Komisaritit Maliq Arian Hoxha, drejtori i Kufirit Korçë, Dashamir Spaho, të gjithë në shërbim të drogës, me në krye Drejtorin e Policisë, Ajet Zyberi”, tha Edi Paloka.

Më tej, ai shtoi se, “në zonën e Selcës në Tepelenë, janë mbjellë sasi të mëdha me kanabis. Përgjatë grykës së lumit Vjosë, prej gati 3 muajsh ulen avionë të vegjël dhe ngarkohen me drogë. Fshati Bubës 1 – Përmet, Bubës 2- Këlcyrë – Ballaban, janë mbuluar me kanabis”.

“Në Kolonjë, në fshatin Piskal, janë mbjellë sasi të mëdha droge. Specialisti i SHKB-se Robert Haskaj, administron sipërfaqe të tëra me lëndë narkotike në fshatin Amonic. Robert Haskaj ka mbrojtjen e Drejtorit të SHÇBA, Arben Skëndo”, u shpreh Paloka.