PD, Duma: Shkollat pa ngrohje, njerëzit të bllokuar, Rama 537 mln lekë për kondicionerët e zyrës

10.01.2017 15:58:38

Partia Demokratike ka denoncuar atë që sipas saj është një skandal, në lidhje me blerjen prej 537 milionë lekësh të kondicionerëve që do të ngrohin zyrën e tij. Me anë të një deklarate për media nga selia blu, Grida Duma fol për harxhimet e Edi Ramës dhe luksin e tij.

“537 milionë lekë do harxhojë Edi Rama për ngrohjen e tij në Kryeministri, këtë vit.

Në fakt, këto 537 milionë lekë janë vetëm një pjesë e vogël e mbi 13 miliardë lekë që Edi Rama do shpenzojë për vete dhe godinën e Kryeministrisë të cilën e ka kthyer në pallat argëtimi.

Prioriteti kryesor i Edi Ramës është luksi për vete. Mirëqenia e njerëzve nuk ka rëndësi për të.

Prandaj shkollat nuk kanë ngrohje dhe janë mbyllur, sepse Edi Rama harxhon për ngrohjen e zyrës së tij më shumë se për ngrohjen e të gjitha shkollave të Shqipërisë.

Prandaj njerëzit po vdesin nga të ftohtit, sepse Edi Rama është ngrohtë në zyrën e tij.

Ndërsa pushteti lokal mezi po përballon situatën me burimet e veta, Edi Rama jep shfaqje me shtab emergjence nga zyra e tij e ngrohtë.

Ndërkohë njerëzit po e përballojnë vetë të ftohtit, po përballojnë vetë kosoton e mbajtjes së fëmijëve në shtëpi dhe mbajtjes ngrohtë të shtëpive për fëmijët.

Edi Rama nuk mendon për njerëzit. ndaj, së bashku duhet ta ndryshojmë qeverinë nga qeveri e Edi Ramës në qeveri të njerëzve”, u shpreh Duma gjatë deklaratës për median.