PD: Tjetër deputet trafikant, Edi Rama vazhdon kontratën me krimin

17.12.2016 16:54:46

Partia Demokratike ka akuzuar sërish kryeministrin Edi Rama se po pengon dekriminalizimin, ndërsa i bën thirrje KQZ-së dhe Prokurorisë së Përgjithshme të zbatojnë ligjin pa zvarritje. “Zbulimi nga media i rastit të deputetit të mazhorancës, Shkelqim Selami, i cili ka fshehur të dhënat dhe nuk ka deklaruar një dënim në Itali për trafik qeniesh njerëzore, tregon edhe një herë pse Edi Rama nuk e do dekriminalizimin, e pengon atë, dhe nuk është i gatshëm ta zbatojnë.

Ndërkohë që Europa e ka theksuar, e ka vënë tek kushtet e vendit tonë për integrimin evropian, Edi Rama nuk bën asnjë përpjekje për aplikimin e dekriminalizimit, për ndarjen me krimin, me personat me të shkuar kriminale që i ka në parlament, në bashki e në zyra qendrore”, deklaroi në një komunikim për shtyp Enkelejd Alibeaj.

Ai tha se Edi Rama vazhdon kontratën e tij me krimin ne të gjitha format dhe nuk ka ndërmend të ndahet prej tij. “Jo vetëm nuk shkarkon Rroshin, të cilit ia quajti publikisht të mbyllur shërbimin kur i doli dënimi në Itali për përdhunim, por jep letra rekomandimi për kreun e bandës në Durrës, Lulzim Berisha, dhe del se po pasuron radhët me anëtarë të rij të klubit të krimit, me deputetë si Selami”, vijon Alibeaj.