PD tund prangat për Ramën, Markun, Dakon e Prelën: Gazetarë s’ka burg, nxirrini përgjimet!

05.06.2019 20:50:27

Në kulmin e krizës politike dhe përplasjes Rama-Basha, gazeta gjermane BILD i ka hedhur benzinë zjarrit, duke publikuar audiopërgjimet e Dosjes 339, ku del se Astrit Avdyli komunikon me Vangjush Dakon dhe drejtues të lartë të PS në Durrës për blerje votash e përcaktim kandidatësh për deputet në zgjedhjet e 2017-ës.

Në përgjime, Avdylaj përmend disa herë edhe emrin e kryeministrit Edi Rama, madje është në dijeni të axhendës së tij (takime, darka e udhëtime jashtë vendit). Materialet e publikuara padyshim që i kanë dhënë një hov të ri debatit midis palëve, në një kohë kur opozita kërkon me çdo kusht largimin e Ramës.

Por, në të parin reagim zyrtar nga Partia Demokratike pas publikimit të përgjimeve, në ‘thesin” e akuzave përfshihet edhe Kryeprokurorja Arta Marku dhe shefja e Krimeve të Rënda, Donika Prela. Sipas PD-së, Edi Rama, Vangjush Dako, Astrit Avdylaj si dhe kryeprokurorja Arta Marku dhe shefja e Krimeve të Rënda, Donika Prela janë e njëjta dorë kriminale.

“Në vend që, sot, politikanët e kapur në shitblerje votash me krimin, të ishin me pranga në duar; në vend që Kryeministri të jepte dorëheqjen dhe të vihej në dispozicion të hetimit për zbardhjen e krimeve zgjedhore; Edi Rama urdhëron shantazhimin dhe kërcënimin ndaj gazetës gjermane BILD dhe mediave shqiptare që nxorën në dritë krimin zgjedhor”, thuhet në deklaratë.

Selia blu grupimin e emrave të mësipërm i quan grup të strukturar kriminal që vjedh votat, dhunon votuesit, manipulon hetimet dhe kërcënon mediat.

“Edi Rama, përfituesi nga blerja e votave prej bandës së Avdylajve kërkon të blejë kohë, duke urdhëruar prokurorinë e kontrolluar prej tij, të artikulojë teza të rrezikshme për demokracinë në vend dhe lirinë e medias. Edi Rama vetë po hesht, siç bën gjithmonë, kur kapet me fakte në krim. Këtë radhë, as heshtja, as shërbëtoret e tij në prokurori, nuk mund të mbulojnë dot të vërtetën që tani ka marrë përmasa europiane: Edi Rama është një Kryeministër ilegjitim, që e ka shndërruar Partinë Socialiste në një strukturë të kriminalizuar, në shërbim të pushtetit të tij personal”, thuhet më tej.

Ndërkohë, Partia Demokratike gjithashtu inkurajon gazetarët të vazhdojnë të kryejnë misionin e tyre për të informuar publikun mbi të vërtetën e tmerrshme se Shqipëria drejtohet nga krimi i organizuar.

“Partia Demokratike inkurajon çdo prokuror të mos i bindet urdhrave politikë të një Kryeministri të kriminalizuar apo veglave të tij në drejtimin e Prokurorisë. Vënia përpara drejtësisë e pushtetarëve që kanë bashkëpunuar në zgjedhje me krimin e organizuar, është shërbimi më i madh ndaj interesit publik. As heshtja, as përdorimi i Prokurorisë, nuk i jep dot më shumë jetë kufomës politike të Edi Ramës. Asgjë dhe askush nuk e shpëton dot atë dhe pushtetin e tij të inkriminuar”, thekson PD.