PDK dhe LDK e “hedhin pas shpine” idenë e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme

16.11.2016 17:42:46

Zyrtarë të partnerëve në koalicionin qeverisës, PDK-LDK shprehen se nga organet vendimmarrëse të partive nuk ka qëndrim që të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Xhavit Haliti nga PDK e Bajram Gecaj nga LDK, shprehen se nuk ka ndonjë sinjal për të shkuar në zgjedhje dhe se koalicioni ka fuqinë për të quar përpara proceset e rëndësishme.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhvit Haliti ka thënë se organet vendimmarrëse të partisë nuk kanë qëndrim për të shkuar në zgjedhje.

“Partia, Kryesia e Partisë e as Këshilli Drejtues nuk ka qëndrim të vetin për zgjedhje. Dhe kompetent për të shpall politikat e partisë për çështje madhore siç janë zgjedhjet është kryetari i partisë”, ka thënë Haliti për lajmi.net.

Ai ka thënë se zgjedhje ka kërkuar opozita dhe se ata nuk mund ta bëjnë politikën sipas tyre, duke shtuar se nuk sheh ndonjë arsye për shkuarjen në zgjedhje.

“Zgjedhje ka kërkuar opozita dhe ne nuk e bëjmë politikën sipas tyre. Koalicioni e ka fuqinë për ti quar proceset përpara dhe unë nuk shohë ndonjë situatë për zgjedhje”, është shprehur Haliti.

Nënkryetari i PDK-së, ka vlerësuar se Kosova nuk ka është e përgatitur për zgjedhje të jashtëzakonshme.

Indikacion për shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme nuk shohin as në Lidhjen Demokratiket të Kosovës.

Bajram Gecaj këshilltar i kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendësministër në ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, ka thënë kërkesa për zgjedhje vijnë nga zëra të pakënaqur, e që ka nga të dy partitë.

Por, ai në një deklaratë për lajmi.net ka thënë se nuk ka ndonjë indikacion nga strukturat e partive për të shkuar në zgjedhje.

“Neve nuk kemi asnjë indikacion nga strukturat përfaqësuese të asnjë partneri të koalicionit për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme. Kjo pra mund të ndodhë vetëm nëse përfaqësuesit legjitim të partnerëve pajtohen, dhe jo si rezultat i individëve. Ne planifikojmë zgjedhje qendrore në vitin 2018”, ka thënë Gecaj për lajmi.net.

Nga ana tjetër partitë opozitare janë duke kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, e që një gjë e tillë të ndodh nuk e kanë përjashtuar as analistët politik.