PDK e Qeveria nuk tregojnë nëse ministri i Integrimeve do të emërohet këtë javë

26.01.2017 10:14:27

Partia Demokratike e Kosovës dhe Qeveria nuk kanë komentuar deklaratën e shefes së zyrës së BE-së, Natalia Apostolova  se gjatë kësaj jave do të emërohet ministri i Integrimeve Europiane.

Apostolova të mërkurën pas një takimi që ka zhvilluar me kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli dhe ambasadorët e akredituar në Kosovës, ka deklaruar  se gjatë javës do të emërohet ministri i Integrimeve Eurupione.

Por, kjo deklaratë nuk është komentuar nga PDK e cila si partnere në koalicion me LDK-në, duhet ta propozojë emrin e ministrit.

Në PDK nuk kanë folur nëse një gjë e tillë do të ndodh apo nëse është dërguar propozimi në Qeveri.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti ka thënë për lajmi.net se kjo çështje është kompetencë e kryetarit të partisë, ndërsa sekretari i kësaj partie, Basri Musmurati është shprehur se nuk asgjë për të deklaruar rreth kësaj çështje.

Gjasat që të ndodh emërimi i ministrit gjatë kësaj jave janë të pakta. Një burim i lajmi.net i afërt më këtë proces ka thënë se nuk ka ndonjë gjë konkrete në këtë drejtim.

As në Qeverinë e Kosovës nuk kanë kthyer përgjigjje nëse kanë marr ndonjë emër si propozim për ministrin e Integrimeve.

Dikasteri që udhëheq më proceset e integrimeve evropiane ka më shumë se tre muaj që është pa ministër, që kur nga ky post dha dorëheqje Bekim Çollaku.

Vonesa e emërimit të ministrit është kritikuar nga analistë në vend.