PDK: Kurti u dorëzua para vendimit të Serbisë për të vendosur orën policore në katër komunat e Veriut

05.04.2020 18:24:46

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe zëvendësit të tij, Haki Abazi për situatën në veri të vendit, duke i quajtur skandaloze.

Përmes një komunikate, thonë se Kurti, duke folur kudo e kurdo për gjakderdhjen përmes një diskursi të frikshëm që ka përzgjedhur, po e rëndon edhe më shumë situatën në ditët më të vështira e të frikshme të shqiptarëve në përballje me pandeminë.

Sipas PDK-së kryeministri në detyrë u dorëzua edhe para vendimit të Serbisë për të vendosur orën policore në katër komunat e veriut si dhe karantinimin nga Beogradi të dy komunave të veriut.

“Ai del me paralajmërime për konflikt, pak ditë pas kërcënimit për vëllavrasje nga bashkpartiaku i tij, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri. Në një video-mesazh për konflikt me fjalët do “të derdhet gjaku jonë “ dhe duke thënë ruani “gjakftohtësinë e mos bini në kurthin e tyre Kurti po përpiqet që t’i frikësoj qytetarët që të heshtin përpara papërgjegjshmërisë e paaftësisë dhe dështimit të tij për t’i ndal qindra zyrtarë serbë të futur në veri gjatë ditëve të fundit. Jo vetëm kaq, ai u dorëzua edhe para vendimit të Serbisë për të vendosur orën policore në katër komunat e veriut si dhe karantinimin nga Beogradi të dy komunave të veriut”, thuhet në komunikatë.

Më tej thuhet se, ‘deklarata e kryeministrit të shkarkuar Kurti për situatë nën kontroll në veri të vendit u tradhtua nga zëvendësi i tij, Haki Abazi, i cili e shpalli veriun të ndarë nga Kosova.’

“Kjo është deklarata e parë dhe do të mbetet e vetme e një zyrtari të lartë të qeverisë së Kosovës që deklaron se veriu është i ndarë”, thotë kjo parti.

PDK konsideron se qeveria e shkarkuar po vazhdon të tallet me qytetarët, dhe veçmas me banorët shqiptarë të ngujuar e të frikësuar në veri të vendit.

“PDK do të angazhohet me tërë kapacitetin e saj politik e institucional për ta ndalë degradimin e mëtejshëm të kësaj qeverie në ikje që po shkon në dëm të shtetit dhe, në veçanti, të pjesës veriore të Republikës së Kosovës”, thuhet në fund.