PDK mbyll procesin zgjedhor në Dragash, Vehbi Nazifi zgjidhet kryetar i degës

03.03.2019 17:19:57

Partia Demokratike e Kosovës, ka përmbyllur sot zgjedhjet e brendshme në Degën e Dragashit, ku me shumicë të votave të delegatëve, kryetar i degës u zgjodh Vehbi Nazifi. 

Kryetari i ri i PDK-së në Dragash, falënderoi delegatët për besimin e dhënë dhe u zotua se do të punoj pandërprerë për vazhdimin e sukseseve të PDK-së në Dragash.

Kuvendi zgjedhor po ashtu zgjodhi Këshillin Drejtues të degës prej 55 anëtarëve si dhe 13 delegatë për Konventën Qendrore.

Në emër të kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, delegatët e pranishëm në këtë kuvend zgjedhor i përshëndeti ministri për Kulturë, Rini e Sport, Kujtim Gashi.

Ai tha se platforma politike Dekada e Re, e prezantuar nga lideri i PDK-sē, Kadri Veseli, ka për qëllim zhvillimin e qëndrueshëm të të gjitha komunave pa dallim, nëpërmjet reformave dhe ofrimit të hapësirës për kuadro të reja të cilat do të jenë në shërbim të ndërmarrësisë dhe ideve inovatore të qytetarëve.

Ndërsa, për sukseset e degës së PDK-së në Komunën e Dragashit, folën kryetari i deritashëm i degës, Salim Januzi si dhe kryetari komunës, Shaban Shabani.

Kreu i Komunës së Dragashit tha se vizioni i PDK-së po mbështetet nga të gjithë qytetarët dhe ky vizion do të vazhdoj të mbështesë kuadrot e reja që i janë bashkuar PDK-së gjatë procesit zgjedhor për jetësimin e platformës Dekada e Re.