PDK: Nisma po e manipulon opinionin me të ashtuquajturat “ndërprerje të energjisë elektrike” nëpër vendvotime

04.12.2016 19:26:05

Zëdhënësi i shtabit zgjedhor të PDK-së në Drenas, Betim Berisha, i ka komentuar deklaratat e Nismës për Kosovën lidhur me ndërprerjet e energjisë elektrike.

Berisha ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin e saj për manipulimet e opinionit publik nga Nisma për Kosovën, lidhur me propagandimin e saj përmes shërbëtorëve të vetë medial rreth të ashtuquajturave “ndërprerje të energjisë elektrike” nëpër vendvotime.

“Këto të pavërteta po plasohen qëllimshëm tash në fund të procesit zgjedhor vetëm sa për ta njollosur vullnetin e qytetarëve të Drenasit të shprehur në kutitë e votimit.

Nisma për Kosovën e ka shumë të qartë humbjen e thellë në Drenas, kurse tash nuk i ka mbetur asgjë tjetër përveçse të mundohet që t’ia devijojë ecurinë e mirë këtij procesi me propaganda mediale”, ka thënë zëdhënësi i shtabit zgjedhor të PDK-së.

Sipas Berishës, mosndërprerjen e energjisë elektrike e ka konfirmuar edhe KEDS-i. Zëdhënësi i shtabit zgjedhor të PDK-së në Drenas, i ka ftuar mjetet e informimit që ta ruajnë profesionalizimin dhe etikën gazetareske dhe mos të bien pre, siç ka thënë ai, e mashtrimeve politike nga partitë që tashmë e kanë të konfirmuar humbjen zgjedhore.