Peja sfidon Brezovicën

29.10.2016 16:54:29

Brezovica, nuk duket të jetë e vetmja qendër turistike në Kosovë. Komuna e Pejës, së shpejti do të bëhet me projektin  “Borea”,  i cili vlerësohet të jetë goxha atraktiv për qytetarët por edhe për investitorët në tërsi.

Komuna e Pejës, ka bindjen se ky projekt do ta kaloj Brezovicën. Në përgjigjet e dhëna Gazetës Fjala, thuhet se ky projekt do të jetë më konkurrues se Brezovica.

“…..Borea do të jetë më i mirë por dhe më konkurues se projekti i Brezovicës e poashtu edhe qendrat tjera në regjion. Kjo është vlerësuar në bazë të disa parametrave ekonomike, sociale, trasportuese, dinamika e qarkullimeveturistike, tregjet e mundshme, oferta e larmishme…”, tregon për Gazetën Fjala, Artan Gashi, Drejtor i Zhvillimit Ekonomik, në komunën e Pejës.

Gashi thotë se Komuna e Pejës, nuk ka ndarë, financat, përveç pronës që ka siguruar për projektin në fjalë. Financat pritet të sigurohen prej partnerit privat.

“Financat pritet të sigurohen prej partnerit publiko-privat, ndërsa Komuna nuk ka ndarë asgjë përveç pronës e infrastrukturës. Ky projekt do t’ia rris vlerën Pejës, pasi duket të jetë një projekt evropian. Projekti do të filloj pas përfundimit të procedurave që parashihen me ligj”, thotë Gashi.

Opozita: Projekti veç dëshirë e Komunës

Njësoj nuk mendojnë anëtarët  e Kuvendit Komunal të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në Komunën e Pejës.

Naim Sahiti, anëtar i kësaj partie në Komunën e Pejës, thotë se Komuna, nuk ka bërë asgjë tjetër përveç studimit të fizibilitetit, derisa gjithë përpjekjet për realizimin e kësaj qendre turistike, Sahiti i quan “dëshira”.

“Projekti është larg prej realizimit. Tjetër gja ska ba Komuna përveç studimit të fizibilitetit, kjo është veq e mira, krejt tjerat janë thjesht një dëshirë”,  thotë për Gazetën Fjala, Sahiti.

Në anën tjetër, shoqata e alpinistëve “Merimangat e Pejës”, mendojnë se Komuna ka zhvilluar një projekt të qëlluar, i cili do t’iu lë hapësira për zhvillimin e atraksioneve të ndryshme.

“Mendojmë shumë se është një projekt i qëllum. Ajo do të lë hapësirë edhë për zhvillim të aventurave tradicionale”, ka deklaruar, Nol Krasniqi, kryetar i  shoqatës “Merimangat”.

Edhe për ekspertët e kësaj lëmie, projekti shihet si tërheqës për investitorët e zhvillimin ekonomik të vendit.

Kryetari i Odës Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë se investimi në projekte si ky i “Boreas”, do të ndikonte në zhvillimin ekonomik të vendit, që nënkupton edhe hapjen e vendeve të reja të punës.

“Investimi në projekte të tilla jo vetëm që do të vendoste Kosovën në hartën e vendeve me atraksione turistike, por në të njejtën kohë do të vendoste këto potenciale në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit, dhe rrjedhimisht të krijimit të vendeve të reja te punes, për çka jo vetëm Komuna e Pejës, por edhe i tërë vendi ka shumë nevojë”, thotë për Gazetën Fjala, kryetari i Odës Amerikane në Kosovë, Arian Zeka.

Mirëpo, Zeka nuk mendon se ky projekt do të jetë konkurrent i Brezovicës. Pasi që të dyja sipas tij, pasurojnë ofertën turistike të vendit para investitorëve.

“Projekti është goxha ambicioz dhe rrjedhimisht kërkon një angazhim më të madh në promovimin dhe tërheqjen e investitorëve serioz në jetësimin e tij. Personalisht nuk e shoh projektin e Boreas si konkurrent të Brezovicës, por në vend të kësaj të dyja projektet i shoh si pasurim të ofertës turistike të vendit para vizitorëve potencial”, shpjegon kryetari i Odës Amerikane në Kosovë.

Ky projekt është thënë se do të jetë vetëm 900 metra larg qendrës së qytetit, përmes të cilit për 13 minuta mund të arrihet lartësia mbidetare prej 2 mijë e 400 metrash. Këtë e kishte bërë të ditur edhe vet kryetari i Komunës ku po zhvillohet ky projekt, Gazmend Muhaxheri.

“Borea’’ është vetëm 900 metra larg qendrës së qytetit, ndërsa pozita gjeografike e bënë atë në njërën ndër qendrat më të mira në rajon, me ç’rast për 13 minuta mund të arrihet lartësia mbidetare prej 2400 metrash, si dhe me kapacitet shfrytëzimi për të katërt stinët e vitit”, kishte thënë Muhaxheri.

Muhaxheri kishte thënë se të gjithë indikatorët  qojnë drejt një përfundimi ,që investimi në këtë projekt është i sigurt, dhe po aq i sigurt është edhe kthimi i investimit, si dhe rrjedhimisht krijimi i një profiti të qëndrueshëm.

Për gatishmëri të ndihmës, gjatë kohës sa punohet në këtë projekt kishte premtuar edhe kryeministri Isa Mustafa. Mustafa kishte thënë se këtë ndihmë do ta bëj përmes të gjitha ministrive, që të përkrahin zhvillimin ekonomik

“Ju garantoj se Qeveria e Republikës së Kosovës për çdo gjë do të mbetet përgjegjëse që të ju ndihmojë maksimalisht në mënyrë të drejtpërdrejt përmes ministrive përkatëse dhe përmes të gjitha organeve që përkrahin zhvillimin ekonomik”, ishte shprehur  Mustafa.