Pence: Kosova në të ardhmen anëtare e plotë në UNESCO

02.08.2017 14:18:44

Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Michael Pence është duke qëndruar në Mal të Zi për të marrë pjesë në mbledhjen e Kartës Adriatiku, të Shteteve të Bashkuara. Ai tha se SHBA do të angazhohet që të eleminohen të gjitha pengesat që Kosova të bëhet anëtare e plotë e Kartës së Adriatikut dhe për të ardhme në NATO.

“SHBA vazbdon të përkrahë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve e për fqinjësi të mirë. SHBA është mirënjohëse për luftimin e terrorizmit dhe përgëzon suksesin në parandalimin e sulmeve terroriste të planifikuara në territorin e Shqipërisë, të Maqedonisë e të Kosovës, tha zv.presidenti amerikan Pence.

Me këtë rast, ai ka thënë se është nder i madh për të që të kremtoj progresin e Ballkanit perëndimor në kuadër të Kartës së Adriatikut.

Ai ka thënë se kryetari Donald Trump personalisht është përkushtuar për këtë takim dhe se është i nderuar që sot si i pari zëvendëspresident ka vizituar Malin e Zi pas anëtarësimit në NATO.

“ Ballkani perëndimor ka treguar se të gjithë janë të veçantë me kulturë, tradita dhe se të gjithë e meritojnë të jenë të mbrojtur. Karta e Adriatikut është e veçantë për Evropën dhe Trump me SHBA do të vazhdojnë të përkrahin çdonjërin prej juve për të ardhmen e përbashkët”, ka thënë Pence.

Gjithashtu ai ka shtuar se, Karta e Adriatikut është përkushtim i SHBA për Ballkanin Perëndimor dhe është vizion i qartë që SHBA janë të përkushtuar për Evropën e Lirë, si Malin e Zi, Maqedoninë, dhe vendet tjera që janë anëtare. Po ashtu edhe për Kosovën e Serbinë si vëzhguese. “Kemi dëshirë që Kosova të jetë anëtare e plotë në të ardhmen në NATO. Uroj kryeministrin malazez për të arriturën historike. Jam këtu në emër të Trumpit dhe uroj vendin tuaj për anëtarësimin e suksesshëm në NATO,  Mali i Zi tregoi që dera e NATO-s është e hapur”, ka shtuar ai.

Ndryshe, presidenti Thaçi i cili kryeson delegacionin e Kosovës në samitin e Kartës së Adriatikut, është i vetmi president pjesëmarrës në këtë samit. Të gjitha shtetet tjera të rajonit përfaqësohen  në nivel kryeministrash. Për shkak të rëndësisë së takimit bilateral me zv. Presidentin amerikan Michael Pence, Kosova është përfaqësuar në nivelin më të lartë politik.