Pep garanton: Aguero ka ende vend te City!

04.02.2017 12:21:30

Nuk është fundi për Sergio Aguero, bëri të ditur, Pep Guardiola, pavarësisht debutimit të shkëlqyer të Gabriel Jesus me fanellën e Manchester City. Argjentinasi, një simbol i Manchester City që kur erdhi nga Atletico Madrid në vitin 2011, u la jashtë formacionit në fitoren 4-0 ndaj West Ham. Gjithashtu, Aguero ka nisur nga stoli edhe ndeshjet kundër Everton, Barcelona dhe Burnley në këtë sezon.

Guardiola mendon se dy sulmuesit amerikano-latinë mund të luajnë së bashku, pikërisht për shkak të përshtatshmërisë që ka Jesus. “Në Brazil, Gabriel ka luajtur në të majtën dhe ai e pëlqen shumë atë rol me lëvizje diagonale drejt qendrës, ashtu si ka bërë në ndeshjet e fundit, – tha Guardiola. – Që të dy mund të luajë së bashku sepse Jesus nuk është vetëm finalizues, por është dikush që mund ta marrë topin nga larg portës dhe është dikush që lufton.”

Jesus po fillon të komunikojë me fjalët bazë të anglishtes me shokët e tij të skuadrës dhe ka vendosur të bëj një kurs intensiv gjuhe, që të përshtatet sa më shpejt në Premier League. Guardiola shtoi se e kupton nëse do të ketë një debat në lidhje me lënien në stol të Aguero, ndërkohë që porta e Manchester City do të mbrohet nga Willy Caballero dhe të shtunën ndaj Swansea, si ndodhi kundër West Ham. Sërish në stol do të ulet Claudio Bravo

“Aguero dhe Bravo i kanë kuptuar vendimet e mia, – tha Pep. – Ata janë profesionistë të vërtetë. Nuk janë më të rinj, janë plot me përvojë, por unë i shpjegova ndjesitë e mia dhe ata më kuptuan. Unë mendoj se Jesus dhe Willi duhet të luajnë. Besimi im te ta nuk ka ndryshuar, por në fushë luajnë 11 vetë.” Ndërkohë, Yaya Toure do të luajë për herë të dhjetë radhazi në formacion, pasi kaloi në hije të gjithë pjesën e parë të kampionatit.