Për AAK-në, fitues i zgjedhjeve në Istog është Gani Dreshaj

18.12.2017 19:46:48

Përveç kandidatit të kësaj partie për të parin e Komunës së Istogut, Gani Dreshaj, ka reaguar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Sipas AAK-së, janë “tejet qesharake dhe të papranueshme veprimet e sotme të ndërrimit të rezultateve të zgjedhjeve në Komunën e Istogut nga ana e Komisionit Qendror Zgjedhor sipas dëshirave politike”.

“Për AAK-në, fitues i zgjedhjeve në Istog është z. Gani Dreshaj, i konfirmuar dy herë me votë të qytetarëve por i rrëzuar në tavolinat politike të KQZ-së dhe Gjykatave”, thuhet në reagimin e AAK-së.

Po sipas reagimit, “në demokraci, vendimmarrës janë qytetarët e jo veprimet e pamatura, jo serioze, e politike që shkaktojnë zemërim tek qytetarët”.

“Në funksion të realizimit të vullnetit të qytetarëve të Istogut, AAK do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore duke kërkuar rinumërim të të gjitha kutive të votimeve në komunën e Istogut dhe të vendos vullnetin e qytetarëve në vend”.

“Ju kujtojmë të gjithë akterëve të tavolinave politike se Istogu, nuk i takon me ”tapi” asnjë grupacioni politik, por qytetarëve të Istogut të cilët dy herë konfirmuan vullnetin e tyre për z. Dreshaj si kryetar komune, dhe Aleanca do të kujdeset që ky vullnet të vihet në vend”.

“AAK, edhe njëherësh falënderon qytetarët e Istogut për përkrahjen dhe seriozitetin e treguar përgjatë gjithë procesit të stërzgjatur zgjedhor në Istog”, thuhet në reagimin e AAK-së.

Ndryshe, pas numërimit të votave me kusht, atyre me postë dhe të personave me nevoja të veçanta për komunën e Istogut, Haki Rugova i LDK-së ka dalë fitues. /