Për gjashtë muaj trajtohen 19 lëndë të korrupsionit në Gjykatën Themelore të Gjilanit

10.07.2017 14:39:57

Gjykata Themelore e Gjilanit ka mbyllur gjashtëmujorin e parë të këtij viti me sukses dhe kjo falë përkushtimit të madh të gjithë gjyqtarëve dhe stafit administrativ.

Në Departamentin e Krimeve të Rënda punojnë gjashtë gjyqtarë, gjatë periudhës janar – qershor janë pranuar 146 lëndë, ndërsa janë kryer 180, do të thotë 34 lëndë më shumë janë kryer.

“Një prioritet i madh gjykata i ka dhënë kryerjes së lëndëve të korrupsionit, ku për këto gjashtë muaj janë kryer gjithsejtë 19 lëndë të kësaj natyre.   Edhe në Departamentin për të Mitur dhe atë Përgjithshëm numri i lëndëve të kryera është më i madh në krahasim me numrin e lëndëve të pranuara.  Shprehur në përqindje gjatë këtij gjashtëmujori Gjykata Themelore në Gjilan ka kryer 111 % më shumë lëndë nga ato që janë pranuar“, thuhet në komunikatën e kësaj gjykate.

“Ndonëse është mungesë e gjyqtarëve në Gjykatën Themelore të Gjilanit, numri i lëndëve vazhdon të bie nga viti në vit.  Me konkursin e fundit për gjyqtarë janë caktuar edhe pesë gjyqtarë për Gjykatën Themelore të Gjilanit dhe kjo në masë të madhe do të ndikojë që numri i lëndëve të bie ndjeshëm.  Pritet që në të ardhmen e afërt, lëndët që do të pranohen në gjykatën tonë do të caktohen menjëherë dhe nuk do të presin sikurse vitet e kaluara“, bëhet e ditur në kumtesë.

Gjykatat shumë shpesh janë akuzuar se nuk po i trajtojnë lëndët e korrupsionit.