Për shkaqe teknike ndërpritet seanca e rastit “Lagja e trimave”

22.07.2016 15:53:07

Për shkak të ndërprerjes së rrymës elektrike në Gjykatën penale, seanca dëgjimore është ndërprerë dhe vetëm njëri nga gjashtë dëshmitarët e mbrojtur në rastin “Lagja e trimave” ka arritur që të dëshmojë para trupit gjykues.

Pasi që bëhet fjalë për dëshmitarë të mbrojtur, seanca sërish ishte e mbyllur për publikun, gjegjësisht gazetarët nuk u lejuan që ta ndjekin, por avokatët sqaruan se seanca gjyqësore është ndërprerë për shkaqe teknike.

“Vazhdon seanca, dëshmitarët e mbrojtur ende janë duke dhënë dëshmi. Për sot kemi të paraparë gjashtë dëshmitarë. Tash mund të them se mbaruam me dëshmitarin e parë, por për shkaqe teknike seanca u ndërpre”, ka deklaruar avokati, Mefail Arsllani.

Avokatët mbrojtës kanë njoftuar se për dallim nga seancat e kaluara, klientët e tyre nuk janë ankuar për keqtrajtime psikike apo fizike.

“Nuk ka ankesa që kanë përjetuar ndonjë maltretim psikik apo fizik, kështu që shpresojmë që edhe në të ardhmen mos të ketë ankesa të këtilla”, a deklaruar Arsllani.

Vazhdimi i seancës së sotme e cila u ndërpre për shkaqe teknike pritet të mbahet më 28 korrik.