Perez: Finalja e kupës jo në “Bernabeu”

10.02.2017 10:54:18

Nuk do të ketë festë blaugrana në shtëpinë e Realit të Madridit.

Nëse Barcelona do të fitonte Kupën e Mbretit duke mposhtur Alaves në 27 Maj, nuk do ta ngrejë gjithsesi trofeun në “Santiago Bernabeu”. Barcës i pëlqente padyshim një ide e tillë, por edhe këtë vit, finalja e Kupës në Spanjë sipas të gjitha gjasave nuk do të luhet në stadiumin e Los Blancos, një mundësi që e përjashtoi vetë presidenti i Realit, Florentino Perez, gjatë prezantimit të një libri për suksesin e Realit të Madrid në sezonin e kaluar.

“Finalja nuk mund të luhet në Bernabeu, pasi në atë kohë do të zhvillohen punime për mirëmbajtjen e stadiumit. Nuk keni temë tjetër? “, – iu drejtua presidenti i Realit gazetarëve që e pyetën për këtë cështje.

Në vitet e kaluara në situata analoge me rivalët e përjetshëm blaugrana në finale, ku mungonte Reali i Madridit, klubi merengues iu është kundërvënë në të njëjtën mënyrë mundësisë së zhvillimit të finaleve në impiantin e tij. Mes stadiumeve ku mund të luhet këtë vit finalja e Kupës së Mbretit , shtypi spanjoll citon “Vicente Calderon” të Atleticos së Madridit dhe “Mestalla” të Valencias.