Përfundon seanca e Kuvendit

30.01.2019 21:16:09

Ka përfunduar seanca plenare e Kuvendit të Kosovës.

Para pak minutash ka përfunduar seanca e parë e Kuvendit të Kosovës për vitin 2019, shkruan lajmi.net.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shtyrë disa pika të rendit të ditës për ditën e shtunë, kur edhe do të diskutohet për Projektligjin për buxhetin e Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas mbledhjes së Kryesisë ka thënë se buxheti i vitit 2019 do të diskutohet në seancën e së shtunës, pra më 2 shkurt.

“Me 2 shkurt, në ora 10:00 do të ketë seancë për buxhetin. Para votimit të buxhetit janë 9 pika të tjera të rendit të ditës. Shpresojmë që ligji për buxhetin të kalojë në mënyrë që të gjithë sektorët publikë të funksionojnë”, ka thënë Veseli.

Ndryshe kundër votimit të buxhetit janë deklaruar Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, kurse PSD-ja është deklaruar se do ta votojë buxhetin vetëm nëse Qeveria ia plotëson pesë kërkesa, ku njëra prej tyre është edhe shkarkimi i ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo.