Përfundon takimi i thirrur nga Veseli, opozita e bojkoton

23.07.2018 12:01:19
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka mbajtur një konferencë për media pas takimit të thirrur me partitë politike parlamentare.

Ashtu siç bëri të ditur Veseli, në këtë takim morën pjesë vetëm përfaqësuesit e pozitës.

“Në takimin e sotshëm kanë marrur pjesë vetëm përfaqësuesit e pozitës. Më lejoni të theksoj një fakt, kërkesa e sotme ka qenë më shumë kërkesë e opozitës, për çka duhet publikisht të falënderoj ambasadorin e Amerikës dhe përfaqësuesen e BE-së për iniciativat”, deklaroi Veseli

Veseli shtoi se takimi ashtu siç ishte paralajmëruar, kishte të bënte me arritjen e konsensusit në procesin e ardhshëm të dialogut me Serbinë.

Ai tutje tha se me Serbinë duhet të dialogohet për hir të fëmijëve dhe sakrificës për ta ruajtur atë që është arritur deri më tani.

“Me Serbinë për hir të fëmijëve tanë dhe sakrificës për ta ruajtur këtë që e kemi arritur deri më tani, është obligim dhe përgjegjësi e gjithë spektrit politik. Mesazhi që duhej ta dërgonim do të ishte mesazhi i unitetit konsistent se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe sovraniteti është i pacënueshëm”, shtoi tutje Veseli.

Ndërsa për refuzimin dhe qëndrimet e opozitës në këtë dialog, Veseli tha se mungesa e lidershipit ka krijuar një situatë ku nuk ka ende pjesëmarrje direkt të opozitës në dialog, ani pse një pjesë e saj e ka pranuar një gjë të tillë.

“Një pjesë e opozitës ka pranuar që të marrë pjesë në dialog. Nevoja e akomodimit, apo mungesa e lidershipit ka krijuar një situatë ku nuk kemi ende një pjesëmarrje të opozitës në dialog. Populizmi nga i cili ka përfituar nga zgjedhjet e kaluara Vetëvendosja është dëshirë e të gjitha partive. Qëllimi i takimit ka qenë të krijohet formati dhe vijat për të cilat duhet të diskutohet në dialog”, përfundoi Veseli.

Kujtojmë se në takimin e sotshëm, Veseli kishte ftuar të gjitha partitë parlamentare, mirëpo opozita qysh më herët e kishte bërë të ditur që nuk do të merrte pjesë në këtë takim.