Përkrahë me Amerikën, Shqipëria dhe Kosova dënojnë sulmet iraniane

08.01.2020 22:15:24

Si Shqipëria ashtu edhe Kosova kanë dënuar sulmet iraniane kundër forcave amerikane dhe aleatëve të tyre.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka dënuar ashpër sulmet iraniane kundër forcave amerikane dhe aleatëve të tyre, duke i bërë thirrje Teheranit zyrtar të heqë dorë nga dhuna.

Ai në një postim në Twitter shpreh mbështetjen e Kosovës për aleatët e saj dhe SHBA-në.

Thaçi ka thënë se Kosova është anëtar zyrtar i Koalicionit, nga ku i ka bërë thirrje Iranit që ta dekurajojë dhunën.

“Ne i dënojmë sulmet raketore iraniane kundër forcave amerikane dhe aleatëve të vendosura në Irak që janë të fokusuara në mposhtjen e ISIS. Kosova është anëtar zyrtar i Koalicionit dhe ne i bëjmë thirrje Iranit që të dekurajojë dhunën. Ne mbetemi në mbështetje të SHBA dhe familjes sonë atlantike në këtë kohë trazirash”, shkruan Thaçi, përcjell lajmi.net.

Edhe, presidenti i Shqipërisë Ilir Meta tha të mërkurën se Shqipëria nuk është një vend djallëzor, por një vend demokratik që ka vuajtur nga një diktaturë djallëzore e pashembullt, ndaj të drejtat e njeriut i ka të shenjta.

Komentet e tij pasuan deklaratat e udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei, i cili më herët gjatë foli per “një vend shumë të vogël, por të djallëzuar evropian, ku amerikanët bashkëpunojnë me tradhtarët e Iranit kundër Republikës Islamike”, duke ju referuar Shqipërisë ku janë strehuar dy mijë pjesëtarë të lëvizjes opozitare iraniane Mojahedin-e-Khalq.

Presidenti Meta shkroi të mërkurën në rrjetet sociale se “raketat e lëshuara nga Irani drejt dy bazave ushtarake irakiane që strehojnë ushtarakë amerikanë dhe personel të koalicionit, janë një veprim provokues me pasoja të rrezikshme për rajonin dhe stabilitetin e tij. Irani duhet të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare, ligjet ndërkombëtare dhe detyrimet e tyre në interes të paqes.

Shqipëria nuk është një vend djallëzor, por një vend demokratik që ka vuajtur nga një diktaturë djallëzore e pashembullt, ndaj të drejtat e njeriut i ka të shenjta.

Prej dy dekadash Shqipëria mbetet e vendosur në angazhimet e saj përkrah SHBA dhe vendeve të NATO-s në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe çdo akti që vë në rrezik stabilitetin dhe paqen në botë, shkroi ai.

Sulmet iraniane kundër forcave amerikane i kanë dënuar edhe lider të tjerë të Kosovës dhe Shqipërisë.

Ndryshe, Irani sulmoi mbrëmë me raketa dy baza të ushtrisë amerikane në Irak.

Sulmi nga Irani erdhi si kundërpërgjigje ndaj vrasjes së gjeneralit iranian, Qaseem Soleimani nga SHBA-të, person ky që SHBA-të e cilësonin si tejet të rrezikshëm, dhe i cili kishte orkestruar sulmet ndaj ambasadës amerikane në Bagdad, transmeton lajmi.net.