Përmbytjet në Maqedoni, 25 të vdekur dhe disa të zhdukur

08.08.2016 09:46:29

Maqedonia ka kaluar një ditë dhe natë tmerri për shkak të motit të keq. Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, ka konfirmuar, se si pasojë e përmbytjeve kanë humbur jetën të paktën 25 persona. Ky është bilanci i shkaktuar nga moti i keq që përfshiu Shkupin dhe rrethinat.

Lajmi u konfirmua nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë. Viktimat janë nga Haraçina, Hasanbegu dhe Stajkovci, si vende më të goditura nga moti i keq. Banorët e lagjes së Hasanbegut, kanë rrëfyer për tmerrin që kanë përjetuar gjatë vërshimeve duke thënë se kjo nuk ju kishte ndodhur asnjë herë më parë.

Ata thonë se me vite të tëra kanë kërkuar rregullimin e kanalizimit për të shmangur situata të tillë, por fatkeqësisht nga autoritetet kompetente nuk është ndërmarrë asgjë në këtë drejtim. Gjatë natës së të shtunës, por edhe dje, ekipet e Shtabit për Siguri dhe Shpëtim të qytetit të Shkupit po punojnë për t’u pastruar rrugët e bllokuara nga reshjet e shiut.

“Për momentin të gjitha ekipet e Shtabit janë në terren dhe po punojnë për ta lehtësuar komunikacionin”, theksohet në komunikatën për media nga qyteti i Shkupit. Në disa zona periferike të Shkupit si Hasanbeg, Stajkovc dhe zona tjera shqiptarët janë duke u evakuuar për shkak të pamundësisë për të qëndruar në shtëpitë pasi iu janë përmbytur.

Si pasojë e daljes nga shtrati të liqenit të Smilkovcit unaza rreth Shkupit mbetet e bllokuar nga prurjet e baltës, pemët dhe automjetet, dëme të shkaktuara pas reshjeve të dendura të shiut gjatë mbrëmjes së djeshme. Dalje nga shtrati i liqenit të Smilkovcit thuhet se përveç dëmeve materiale ka marrë edhe disa jetë njerëzish të cilët udhëtonin në këtë autostradë, trupat e të cilëve janë gjetur orët e para të mëngjesit të djeshëm.

Vlladimir Angellovski, shoferi i një kamioni, i cili përjetoi fatkeqësinë kur liqeni i Smilkovcit doli nga shtrati, tha se në momentin kur deshi të shpëtojë një fëmijë, uji mori fëmijën bashkë me prindërit e tij.

Ai shtoi se fatkeqësia ndodhi rreth orës 19:00, ndërsa ai qëndroi i bllokuar në kabinën e kamionit deri sa u ul niveli i ujit. “Pas meje u paraqit një veturë, në të ishte një burrë, një grua dhe një fëmijë. Ata kërkuan ndihmë nga unë, ndërsa burri nxori fëmijën nga dritarja e veturës që të ma japë mua.

Në momentin kur desha të kap fëmijën, uji i mori të tre, pastaj më rrotulloi edhe mua dhe rreth një orë e gjysmë mbeta i bllokuar në kamion”, u shpreh Angellovski. Angellovski i cili theksoi se nga të gjitha anët dëgjonte të thirrura për ndihmë, shtoi se të gjithë njerëzit që jetojnë në rrethinën e liqenit dolën në ndihmë, ndërsa ndihma e shpejtë dhe policia arritën me vonesë për shkak se rruga ishte e bllokuar. Afër liqenit të Smilkovcit u gjend e vdekur një trup e gjinisë femër. Viktima si duket ka humbur jetën nga moti i keq ndërkohë që akoma nuk ka informacione nëse trupi i gjinisë femër i takon nënës e cila kishte kërkuar ndihmë më herët teksa ishte bllokuar me dy fëmijët e saj në makinë. Një grua nga Shkupi dërgoi një apel dramatik për ndihmë, pasi u gjet e bllokuar nga uji në një rreth rrotullim në kryeqytet. “Jemi ngatërruar te rreth rrotullimi i ri. Nuk mund të lëvizim as para, as mbrapa. Jam me dy fëmijë, kurse uji ka arritur deri në gjysmë të rrotave.

Nëse mundet dikush të paraqitet te kompetentët do të na ndihmonte shumë”, shkruante nëna me emrin Suzana. Shiu i rrëmbyeshëm në Shkup bllokoi shumë rrugë. Katër familje tetovare, të cilët ishin nisur për në Zvicër u bllokuan dhe kanë hipën mbi vetura duke kërkuar ndihmë. Gjithashtu bëhet e ditur se deri tani, nga rajonet e përmbytjeve janë tërhequr apo zhvendosur mbi 1000 banorë.

Drejtuesit e Komitetit për menaxhim me krita i kanë propozuar qeverisë të spallë gjendje krize 15 ditore në rajonin e Shkupit dhe të Tetovës. Pothuajse e tërë lagjja e Rashtakut është përmbysur nga reshjet e shiut, të cilat shkaktuan dëme të mëdha në këtë lagje, duke shkatërruar shtëpi bashkë me orenditë brenda tyre, ushqimin, veshmbathjet dhe kafshët që ruanin në shtëpi.

Rashtaku ishte pikërisht nisma e vërshimeve të cilat vazhduan drejt Stajkovcës dhe përfunduan në Hasabeg ku edhe morën shumë viktima. Banorët e kësaj lagje rrëfyen tmerrin që kishin përjetuar duke shtuar se të gjithë banorët kishin qëndruar në katet më të larta të shtëpive e mbi mure për të mbetur të gjallë nga dallgët e mëdha të ujit.