Përplasje e akuza – Krejt çka ndodhi në seancën e parë në Speciale kundër Nasim Haradinajt

29.09.2020 16:56:24

Në Dhomat e Specializuara të Gjyjkatës në Hagë është mbajtur sot seanca e parë kundër nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Nasim Haradinaj.

Ky i fundit nga Prokuroria e Specializuar po akuzohet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedures, e që ndërlidhen me publikimin e dosjeve të rrjedhura nga ky institucion

Seanca e sotme ka nisur me leximin e akuzave dhe dyshimeve që rëndojnë mbi Haradinajn nga Prokuroria e Specializuar.

Më pastaj, gjykatësi i procedurës paraprake ka pyetur Haradinajn se a është i informuar mbi akuzat ndaj tij si dhe a i janë respektuar të drejtat themelore të garantuara me ligj.

Në këtë pikë, Haradinaj pati vërejtje dhe akuza, duke thënë se familjarët e vet e morën vesh për arrestimin e tij vetëm nga mediat.

“Arrestimi është marrë vesh përmes medieve. Por që kam ardhur këtu nuk kam kontaktuar. Iu kam thanë t’i nxjerri për t’i lajmëruar, kanë thanë kujdesemi na. Uroj të jetë e paqëllimtë megjithatë kështu ka ndodhur. Ishte i hapur mund të shihej, por nuk deshën.”, tha Haradinaj.

Për akuzat foli edhe avokati i Nasim Haradinajt.  Ai tha se mbrojtja ka dorëzuar një mocion për hedhjen poshtë të akuzave kundër klientit të tij, pasi që siç tha ai, Specialja nuk e ka në juridiksion të ndjekë penalisht çështje të tilla, pasë parasysh se të njëjtat s’kanë të bëjnë asgjë me krimet e luftes

“Mbrojtja ka dorëzuar një mocion paraprak për hedhjen poshtë të këtyre akuzave dhe për lirimin e menjëhershëm dhe zyra e Prokurorit sapo tha se do të bëhet proces i shpejtë dhe aktakuza do të përpunohet shpejtë, megjithatë unë nuk kam dëgjuar datë. Meqenëse zyra e Prokurorit e zgjodhi datën dhe klienti im ka përfunduar në paraburgim, puna që duhet bërë është punë shumë e madhe dhe është një punë që do të kërkojë shumë javë ose shumë muaj dhe ju duhet të rishikoni akuzat kundër klientit tim sepse siç kam thënë në mocion, klienti im nuk është akuzuar për krime lufte, ky është tribunal për krime lufte. Kjo gjykatë nuk ka juridiksion për këto akuza, sidomos neni 391 as nuk mbulohet nga juridiksioni i kësaj gjykate. Kjo është ndër akuzat më të rënda të bëra klientit tim. Por, aty unë përfundoj me këtë që dua ta lironi menjëherë nga paraburgimi z.Haradinaj.”, tha avokati i Haradinajt.

Mirëpo kjo nuk i bëri shumë përshtypje prokurores së rastit. Ajo tha se së shpejti, Prokuroria do të dorëzojë në gjykatë aktakuzën kundër Haradinajt, mirëpo se paraprakisht ekzistojnë procedura të kompletimit të dosjeve.

Madje, ajo tha se në lidhje me publikimin e dosjeve nga Haradinaj dhe Organizata ku ai bën pjesë, dëshmitarët janë deklaruar se ndjehen të kërcënuar dhe frikësuar.

“Sa i përket kërkesës së juaj, Zyra e Prokurorit të Specializuar po punon që shumë shpejtë të dorëzohet një aktakuzë kundër Haradinajt. Ka disa hapa hetimor për t’u siguruar që do të dorëzohet aktakuza së bashku me të gjitha materialet. Zyra jonë është në proces të mbledhjes së informacioneve të dëshmitarëve që i kanë përcjellë zyrës tonë se ndjehen të frikësuar dhe kërcënuar për shkaqet që janë përmendur”, tha ajo.

Seanca më tutje vazhdoi me pyetjen e Gjykatësit, Nicollas Guillou ndaj Haradinajt, se a ka ky i fundit të deklarojë diçka para trupit gjykues.

Haradinaj kishte përgatitur një letër për ta lexuar aty, mirëpo që nuk u lejua. E kjo shkaktoi irritimin e tij.

I acaruar, Haradinaj iu drejtuar prokurores dhe gjykatëses, duke i thënë  se nuk e njeh Specialen, dhe se ai s’mund të akuzohet për liri të fjalës. Për këtë vepër, ai u shpreh se është dënuar nga regjimi i Millosheviqit qysh në moshën 15 vjeçare.

“Nuk e kam njohur këtë gjykatë, nuk e njoh këtë gjykatë dhe nuk do ta njoh këtë gjykatë. Unë nuk do të flas më. Kjo ka qenë gjithmonë publike. Tash e 15 vite keni mbi 150 mijë nënshkrime se jemi kundër kësaj gjykate. Deputetët me votat e tyre e kanë sjellë këtu popullin. Jam padrejtësisht këtu, e keni thyer kushtetutën e vendit tim, çdo ligj njerëzor, të drejtën e mendimit të lirë. Unë për mendimet e lira jam i dënuar në moshën 15 vjeçare nga regjimi i Millosheviqit, nuk i kemi ra pishman dhe nuk i bimë. Kemi luftuar për të drejtën minimale të mendimit të lirë. Dhe nga ky moment unë më nuk do të flas.”, tha Haradinaj në fjalën e tij.

Para mbylljes së gjykimit, gjykatësi francez iu drejtua Haradinajt duke i thënë se do të ketë kohë t’i adresojë të gjitha çështjet.

Bashkë me Haradinajn, në Hagë ndodhet edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati.

Ky i fundit, seancën e parë informuese do ta ketë të enjten e 1 tetorit.