Në Kuvend po vazhdon debati për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Aty është zhvilluar një debat i ashpër mes shefit të grupit Parlamentar të VV-së, Rexhep Selimi dhe kryeministrit Hoti, teksa ky i fundit ishte pak më i ashpër se herave tjera.
Gjithçka nisi me fjalimin e Hotit, që shkaktoi reagimin e Selimit, i cili akuzoi qeverinë për heqjen e reciprocitetit.
Sipas tij, në dialog s’mund të shkohet për njohje reciproke, kur në fakt reciprociteti është hequr.
“Kur është duke u nis zoti Hoti në bisedime ne e pyesim ku po shkon, e pyesim ku je nis, presim përgjigje, por kjo nuk është përgjigja e vetme që e presim sepse kemi edhe pyetje tjera. Por pyetjes ku je nis, duke e ditë që është nisë pa ekip, pa agjendë të publikuar, nëse ka agjendë, pa platformë, apo i mjafton që edhe agjendë edhe ekip, edhe platformë është Thaçi, i cili po i prinë në këtë udhëtim edhe mund t’i prijë edhe në udhëtime të tjera të ngjashme nëse do të shkojë”, tha Selimi
E një reagim pak më interesant se herave tjera e pati kryeministri Hoti, i cili iu drejtua Selimit se nuk di të rimojë si ai, mirëpo se në dialog nuk shkon për të diskutuar për integritet territorial.
“Nuk di me rimu sikur ti, i them gjanat qartë. Unë kam mandat me e përfaqësu shtetin e Kosovës vetëm në bazë të Kushtetutës. Nuk kam mandat me bisedu për integritetin territorial. Unë shkoj për njohje reciproke, dhe si derivat do të jetë normalizimi i raporteve”, tha Hoti.
Në Kuvend aktualisht është duke vazhduar diskutimi për procesin e dialogut, teksa më herët dështoi të miratohet një rezolutë e VV-së për reciprocitetin








































