Përurim i përmbledhjes poetike “Flas me fjalën tënde” në Bibliotekën Kombëtare “PJETËR BOGDANI” në Prishtinë Mazreku: Patriotizëm është të jesh një pushtetar i mirë, punëtor i mirë, mbi të gjitha njeri i mirë! Prishtinë, 3 prill Profesori dhe krijuesi Prend Buzhala, njëherësh redaktor i librit poetik, “Flas me fjalën tënde”, nga grup autorësh, në kumtesën e tij, sqaroi krijimet e një grupi të poetëve-krijuesve, anë e kënd Kosovës, të cilët paraprakisht ishin dëshmuar dhurues të librave, në apelin e krijuesve të Malishevës për ta pasuruar fondin deri tash të varfër të librave në Bibliotekat e kësaj komune. Krahas Bibliotekës amë të qytezës, muajve të fundit është pasuruar edhe fondi tepër modest i minibibliotekave të shkollave të komunës së Malishevës. Sipas redaktorit Buzhala, në vëllimin poetik, të përgatitur për botim nga krijuesi Mehdi Krasniqi, dhe Shoqata për Kulturë e Letërsi “Tafil Kelmendi”, janë përfshirë krijimet e 73 autorëve shqiptarë. Libri vjen pas dhurimit të librave nga poetët e botuesit për shkollat e Malishevës, si dhë në kuadër të përvjetorit të tetëmbëdhjetë të rënies së tre dëshmorëve të Lirisë, respektivisht Jahir Mazrekut, nga Malisheva, si dhe Maliq dhe Hysen Sopaj, nga Jançisti. Për librin poetik, të hënën folën edhe prof. dr. Isak Shema e Mehdi Krasniqi, të cilët vlerësuan lart sakrificën e dëshmorëve. Ndërsa krijimet e tyre, i deklamuan publicistët Idriz Berisha, Xheladin Mjeku, Izet Shala etj. Selajdin Mazreku, vëllai i dëshmorit Jahir Mazreku, në fillim falënderoi Shoqatën për Kulturë dhe Letërësi (SHKL) “TAFIL KELMENDI” në Malishevë, që siç e tha, për çdo vit përkujdeset në veçanti që ky tubim të jetë sa më përkujtues. Me këtë rast, Mazreku, duke pasur parasysh praninë masive në përurim jo vetëm të krijuesve, poetëve e shkrimtarëve, por edhe të autoriteteve kulturore, politike, institucionale-publike, dha një mesazh domethënës për unitet politik e institucional. Duke parë sfidat që na presin si komb dhe si shtet, ju kisha lutur që t’i lëmë ndasitë fetare, partiake, apo çfarëdo qofshin ato, e ta çojmë përpara shtetin tonë, u shpeh Selajdin Mazreku, në porosinë e tij, në emër të familjarëve të dëshmorëve. Nëse dje ka qenë detyrë e shenjtë flijimi për liri, sot patriotizëm, është të jesh një pushtetar i mirë, punëtor i mirë, mbi të gjitha njeri i mirë. Vetëm, duke qenë unikë dhe duke bashkëpunuar, mund ta çojmë në vend amanetin e dëshmorëve, ishte motoja e mesazhit të vëllait të dëshmorit Mazreku. Në këtë përurim, me mirënjohje u nderua Besnik M. Krasniqi, financuesi i botimit të librit. Legjenda: Nga përurimi i vëllimit të përbashkët poetik ”Flas me fjalën tënde”






































