Përurohet rruga e asfaltuar Jabllanicë-Zaplluzhë

02.08.2017 16:15:24

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, kryetari i Dragashit, Salim Jonuzi përuruan rrugën e asfaltuar që lidhë fshatrat Jabllanicë dhe Zaplluzhë.
Sipas një njoftimi, pas prerjes së shiritit, ministri Zharku ka thënë: ”Sot e përuruam një rrugë e cila ka një rëndësi të madhe për banorët e kësaj ane. Kjo rrugë është ndërtuar sipas standardeve më të larta dhe do të bëjë më të lehtë qarkullimin e banorëve të këtyre fshatrave. Njëherit ndihem mirë që kam pasur rastin ta realizojmë një projekt të tillë, sepse kjo zonë e ka merituar këtë rrugë“.

Ndërsa kryetari i Dragashit, Salim Jonuzi, ka shprehur falënderimet e tij për ministrin Zharku dhe Ministrinë e Infrastrukturës, që bëri të mundur asfaltimin e një rruge e cila ishte ëndërr e kamotshme e banorëve të kësaj ane.

Rruga Jabllanicë-Zaplluzhë, ka një gjatësi prej 8.6 kilometra, ndërsa ka kushtuar rreth 820 mijë euro.

Kjo rrugë është asfaltuar nga Ministria e Infrastrukturës.