“Pinço”, ushtari i Ramushit që u ekstradua në Serbi (Foto)

13.01.2017 15:22:42

Anton Lekaj, një ish-ushtar i UÇK-së, kishte kaluar disa herë pa asnjë telash kufirin e Malit të Zi. Njësoj kishte ndodhur edhe më 17 gusht të 2004-s. Por, atë ditë, me t’iu afruar kryeqytetit malazez, Podgoricë, vetura në të cilën ndodhej atë kohë 24-vjeçari nga Gjakova, bashkë me mikun e tij, u ndal nga policia.

Lekaj u arrestua nga autoritetet e Malit të Zi, për t’u ekstraduar në kohë rekord në Serbi. Një vit pas, një Gjykatë e Qarkut në Beograd, e dënoi atë me 13 vjet burgim për krime lufte, të kryera ndaj popullsisë civile, menjëherë pas intervenimit të NATO-s në Kosovë.

Krimet, drejtësia serbe pretendon se Anton Lekaj, i njohur si “Pinço”, i kreu nën komandën e ish-komandantit të UÇK-së për Zonën e Dukagjinit, Ramush Haradinaj

Në qytetin ku lindi të gjithë kanë dëgjuar për Pinçon.

Anton Lekaj, sipas gjakovarëve, ishte një nga pjesëtarët më të shkathët të UÇK=së, përkundër se i riu në kohën e luftës në Kosovë, ishte vetëm 19 vjeç. Por, përderisa në vendlindjen e tij thuren legjenda për Pinçon, në Beograd, Anton Lekaj po vuan vitin e fundit të dënimit me burg prej 13 vjetësh, për krime lufte ndaj popullatës civile.

Sot 37 vjeç, Lekaj u kishte rënë në duar autoriteteve serbe, 5 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, pasi ishte ekstraduar nga Mali i Zi.

Policët malazezë, Pinçon e kishin arrestuar atë më 17 gusht 2004 në afërsi të Podgoricës, dhe për një kohë rekord e kishin bartur te policët serbë, për ta lënë fatin e tij në duart e drejtësisë së Beogradit, që menjëherë pas shpërbërjes përfundimtare të Republikës Federative të Jugosllavisë – RFJ, kishte lëshuar urdhërarrest ndaj tij.

Prokuroria serbe për Krime Lufte, Pinçon e akuzonte për krime lufte ndaj popullatës civile. Pretendimet e kësaj prokurorie, pas dy vitesh, i vërtetoi Gjykata e Qarkut të Beogradit në aktgjykimin e datës 18 shtator 2006.

Anton Lekaj u dënua me 13 vjet burgim për vrasjen e një personi dhe torturimin e përdhunimin e disa civilëve tjerë të komunitetit rom dhe ashkali dhe një serbi, që jetonin në Gjakovë, dy ditë pas hyrjes së NATO-s në Kosovë.

Fotografi e Anton Lekaj (Pinço) në një nga burgjet në Beograd

13 vjet pasi iu dënua djali, nëna e Anton Lekajt, Kristina, që po pret që i biri t’i kthehet në shtëpi pas tetë muajve, kur edhe përfundon vuajtjen e dënimit, rrëfen sesi djali iu arrestua nga autoritetet malazeze dhe më pas iu ekstradua në Serbi.

“Ky [Anton Lekaj] ka qenë me mikun [vëllai i gruas] dhe gruan, tu e çu në Kroaci gruan. Kanë hy në Mal të Zi, e kanë lënë gruan në kufi me Kroacinë, e kah janë kthy, në afërsi të aeroportit të Podgoricës, aty i kanë ndalë. Mikin e kanë lshu meniher, ndërsa djalin [Antonin] e kanë ndalë”, tregon 59-vjeçarja që sot banon në lagjen Brekoc të Gjakovës, bashkë me tre djemtë tjerë të saj.

“Unë më 19 gusht e kam marr vesh që është arrestu. Pra mas dy ditëve, miku më ka lajmru se ma kanë arrestuar djalin. Kam shku meniherë për Podgoricë, por kur kam mbrri unë atë veç e kishin pas ekstradu për Serbi”, rrëfen ajo.

E bindur plotësisht në pafajësinë e djalit të saj të dytë, Kristina Lekaj thotë se tek nëntë muaj pas arrestimit kishte arritur ta takonte për 20 minuta djalin e saj, që mbahej në një nga burgjet në afërsi të Beogradit. Kjo, vizitë thotë t’i ishte mundësuar nga Kryqi i Kuq.

“Mi kanë dhënë vetëm 20 minuta kohë për vizitë, dhe komunikimin jam detyruar me e ba në gjuhën serbe”, rrëfeu Kristina.

Po përmes Kryqit të Kuq, nëna e Pinços thotë se e takoi atë sërish në burg, për të fundit herë para 7 vjetëve, në një vizitë që i bëri atij me kohëzgjatje rreth tri orë.

Ajo rrëfen se më nuk ka pasur mundësi të shkonte në Beograd, për shkak të lodhjes dhe gjendjes së saj shëndetësore. Por, thotë se vizita djalit i bëjnë kohë pas kohe gruaja e Antoni dhe djali i tij i vetëm, 16-vjeçari, Enriku.

“Antoni thirr në telefon prej burgu. Dy tri fjalë i foli me ta. Dy herë në javë, 3 herë në jave, bisedojmë më të”, rrëfen ajo.

Kristina Lekaj – nëna e Pinços

Në shtëpinë e Kristina Lekajt ajo rrëfente për djalin e saj që u ekstradua në Serbi, ku mbahet edhe sot në burgjet e Beogradit, një epror i Anton Lekajt po priste po ashtu një vendim gjykate për ekstradim tek autoritetet serbe. Komandanti i UÇK-së për Zonën e Dukagjinit, Ramush Haradinaj, gjatë asaj kohe ndodhej në një sallë gjykimi në Francë, pasi Policia franceze e arrestoi atë më 4 janar të këtij viti, në bazë të një urdhërarresti të lëshuar po nga Serbia që kërkon ekstradimin e ish-kryeministrit kosovar në Serbi, për t’u gjykuar për krime lufte.

Ndaj Haradinajt, Gjykata e Apelit në Colmar ende nuk kishte dhënë vendimin për lirimin me kusht të komandantit ushtarit që pas lufte themeloi dhe drejton AAK-në, kur nëna e Pinços lutet që askush të mos u bjerë në duar autoriteteve serbe.

“Ishalla jo. E lus zotin, mos me pas askush fatin e djalit tem”, thotë e trishtuar gruaja e ulur pranë oxhakut të shtëpisë së saj njëkatëshe, në një nga lagjet më të mëdha periferike të qytetit të Gjakovës.

Por, përderisa për ta parandaluar ekstradimin e Haradinajt në Serbi janë “ngritur në këmbë” gjitha institucionet zyrtare në Kosovë, Kristina Lekaj akuzon se për djalin e saj Prishtina zyrtare nuk veproi asgjë. Madje, edhe përkundër shkresave e kërkesave që thotë se përmes avokatit të djalit të saj i quan në Ministrinë e Drejtësisë dhe në Qeverinë e Kosovës, ajo thotë se asnjëherë nuk mori përgjigje, ndonëse të paktën kishte shpresuar se djalit të saj do t’i mundësohej vuajtja e dënimit në Kosovë.

“S’ka ardhë kërkush me ma çelë derën për këtë punë”, thotë e dëshpëruar nëna e ish-ushtarit të UÇK-së.

Kërkesat dhe mosveprimin e institucioneve kosovare, e konfirmoi për Gazetën Express edhe avokati i Anton Lekajt, Teki Bokshi, të cilat ai i dokumentoi edhe me disa shkresa. Por, avokati Bokshi fajin kryesor nuk e la tek institucionet udhëheqëse në Kosovë, pasi, sipas tij, rastet si i të ashtuquajturit Pinço janë politike dhe hakmarrje e Serbisë ndaj ushtarëve të UÇK-së.

Bokshi tregon edhe se Pinço asnjëherë nuk ka pranuar fajësinë para Drejtësisë serbe, për akuzat që u dënua për krime lufte ndaj popullatës civile në Gjakovë, që kishin të bëjnë me vrasje, torturim dhe përdhunimin e disa pjesëtarëve të komunitetit rom e ashkali, më 16 qershor 1999, që në atë periudhë jetonin në qytetin gjakovar dhe më pas ishin shpërngulur për banim në Mal të Zi – vend në të cilin ishte arrestuar Lekaj.

Qëllimi i torturimit dhe përdhunimit të tyre, që për pasojë pati vdekjen e njërit prej personave, ishte detyrimi që këta pjesëtarë të komunitetit rom e ashkali të pranonin se ishin bërë pjesë dhe kishin bashkëpunuar me formacionet ushtarake serbe, gjatë konfliktit në Kosovë, thuhet në aktgjykim.

Dënimi i 18 shtatorit të 2006-s ndaj 37-vjeçarit nga Gjakova u vërtetua edhe nga Gjykata Supreme e Beogradit në aktgjykimin e saj që nxori një vit pasi Gjykata e Qarkut dha verdiktin e saj në një shpallje të gjykimit të arsyetuar në 46 faqe të shkruara në serbisht dhe të përkthyera edhe në shqip.

Në aktgjykimit e të gjitha shkallëve, Pinço sipas të gjeturave të Prokurorisë serbe për Krime Lufte, veprat i kishte kryer nën komandën e Ramush Haradinajt, që drejtonte Zonën Operative të UÇK-së së Dukagjinit, pjesë e së cilës ishte aktiv Anton Lekaj.

Në bashkëveprim me Lekajn, sipas Prokurorisë serbe, ishin edhe pesë ushtarë tjerë të UÇK-së. Katër prej të cilëve procedura u është pezulluar në mungesë të mundësisë për t’u sjellë para gjykatës serbe, ndërsa i pesti Besim Bistrazhini ka vdekur.