Pjesëmarrja në “Forum Alpbach”, mundësi për edukim të mëtejmë të të rinjve nga Kosova

27.03.2017 15:43:09

Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti ka pritur në takim Eva Elizabeth Michlits, sekretare e parë dhe konsulle e Ambasadës së Austrisë në Kosovë dhe Shkumbin Asllani, koordinator i zyrës Initiative Group Alpbach Kosovo.

Sipas një njoftimi, temë diskutimi e takimit ishte koordinimi mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit me Alpbach Kosovo për mbështetjen e të rinjve të Kosovës me bursa për t’i dërguar për pjesëmarrje në “Forum Alpbach” që do të mbahet këtë vit nga 16 gushti deri më 1 shtator.

Organizimi i këtij forumi bëhet në koordinim me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austrisë.

Po sipas njoftimit, përfaqësuesja e Ambasadës së Austrisë, Michlits, e informoi zëvendësministrin Hoti se forumi, i cili do të mbahet në Tirol të Austrisë, për temë bosht do të ketë “Konfliktin dhe Bashkëpunimin” dhe në programin e tij do të përfshijë simpoziume për shëndetësi, arsim të lartë, teknologji, drejtësi, politikë, ekonomi, tregun financiar, ndërtim të mjedisit dhe simpozium për kulturë.

Gjithashtu bëhet e ditur se zëvendësministri Hoti, në emër të ministrit Kujtim Shala, përmes përfaqësueses së Ambasadës, e falënderoi për ndihmën e ofruar nga Republika e Austrisë për ndërtimin e demokracisë në Kosovës, konkretisht për fushat që mbulon MKRS-ja.

“Hoti u shpreh se ky forum do të jetë në interes të të rinjve dhe është një rast shumë i mirë për të përzgjedhurit nga Kosova për të marrë pjesë në Austri. Ai tha se MKRS-ja do të ofrojë përkrahjen e plotë në këtë drejtim e cila vlerësohet edhe si një mundësi për të rinjtë e Kosovës të edukohen edhe më tej dhe të marrin përvoja të reja në fushat të cilat përbëjnë interes për ta”, thuhet në njoftim.

Në njoftim bëhet e ditur edhe se ndër temat tjera që u diskutuan, ishin mundësitë e bashkëpunimit në projekte konkrete të përbashkëta dhe shkëmbime përvojash në fushat e kulturës, rinisë, sportit e trashëgimisë mes Republikës së Kosovës dhe Austrisë.