Plagosja në Shkodër, policia jep detaje

17.01.2017 11:08:01

Dokumentohet ngjarja e ndodhur dje, rreth orës 16:40, pranë “Radio Shkodrës”, te ish-“5 Heronjtë”, Shkodër, ku mbeti i plagosur me armë zjarri, shtetasi Eglion Zuna. Policia e Shkodrës arreston në flagrancë 3 shtetas . Më datë 16.01.2017, falë veprimeve të shpejta hetimore dhe policore si dhe vlerësimit të informacioneve në lidhje me ngjarjen, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, si rezultat i punës së tyre, për një kohë të shkurtër, bënë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes, identifikimin e autorëve të dyshuar si dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve, konkretisht Adam Ademi, 21 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, Arben Ademi, 54 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe  “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëvë luftarake dhe e municionit” dhe Eglion Zuna, 20 vjeç,  banues në Shkodër, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” .

Në momentin e ngjarjes, shtetasi Eglion Zuna,  i dëmtuari, ka qenë duke udhëtuar me mjetin e tij, tip “Benz”me targë AA 550 DX, në shoqërinë e shtetasit Adam Ademi dhe një shtetase të huaj. Nga veprimet e kryera rezulton se autori i dyshuar i kësaj ngjarjes është shtetasi Adam Ademi, i cili pas ngjarjes është larguar së bashku me mjetin tip “Benz” me targë AA 550 DX, duke penguar në zbardhjen e së vërtetës. Ndërsa arma e zjarrit Pistoletë TT, me të cilin është kryer plagosja ka qenë e të dëmtuarit Eglion Zuna, e cila u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale në Hotelin “Redbriks”, pronë e shtetasit Arben Ademi, i cili ka kundërshtuar forcat e policisë në kryerjen e detyrës. Në vendngjarje u gjet një gëzhojë armë zjarri, pistoletë, kalibri 7.62 mm, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. I dëmtuari është transportuar në spitalin e Traumës Tiranë dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Lidhur me motivin e ngjarjes po punohet për sqarimin e plotë të tij, por paraprakisht dyshohet se mund të ketë ndodhur aksidentalisht.  Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Shkodër.