Planifikonin sulm terrorist, Mali i Zi arreston ish-shefin e xhandarmërisë serbe dhe 15 persona tjerë

16.10.2016 12:49:29

Një grup 15-anëtarësh, ndër të cilët edhe ish-komandanti i Xhandarmerisë serbe Bratisllav Dikiq, është arrestuar mbrëmë, natën para zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi, në rrethinën e Podgoricës, njoftuan mediat serbe.

Burime jozyrtare të B92 kanë thënë se grupi ka qenë i armatosur, ndërsa gjatë natës së kaluar është zbuluar vendndodhja e tij në afërsi të kryeqytetit dhe i njëjti është arrestuar.

Më herët televizioni Pink M publikoi se grupi i udhëhequr nga Dikiq ka hyrë në Mal të Zi me sasi të mëdha armatimi dhe municioni, me qëllim që të shkaktojë konflikte të armatosura, madje edhe likuidime, transmeton Express.

Qarqe policore jozyrtarisht kanë njoftuar se grupi në fjalë ka hyrë në Mal të Zi “në bazë të marrëveshjes me një grupacion politik”, me qëllim që të shkaktojnë konflikt të armatosur në ditën e zgjedhjeve parlamentare.

Në Mal të Zi sot mbahen zgjedhjet e rregullta parlamentare. Drejtoria e policisë malazeze para tri ditëve paralajmëroi mundësinë që gjatë natës zgjedhore në vend të shkaktohet dhunë.