“PO KRIJOHET NJË KLIMË JO E FAVORSHME PËR USHTRIMIN E GAZETARISË”

“PO KRIJOHET NJË KLIMË JO E FAVORSHME PËR USHTRIMIN E GAZETARISË”

12.04.2017 08:16:08

Vetëm Serbia dhe Maqedonia janë më keq se Kosova sa I takon lirisë së shprehjes. Kështu ka thënë kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Shkëlqim Hysenaj. Ai ka folur si I ftuar në programin e mëngjesit në RTK.

Hysenaj ka treguar për kërcënimet që i marrin gazetarët.

“Duke u nisë nga statistikat është i njëjti trend nga dy vitet e kaluara, ku më 2017 kemi arritur në shifrën prej 6 sulmeve. Këto sulme nuk dallojnë nga vitet e kaluara. Në Kosovë është duke u krijuar një klimë jo e favorshme për ushtrimin e profesionit të gazetarit. Pas Serbisë dhe Maqedonisë dalim si vend me problemin më të madh të lirisë së shprehjes”, ka thënë ai.

“Adresat e kërcënimeve janë të shumta dhe ndodhin nga grupe të interesit, po që në prapavijë mund të qëndrojnë edhe politikanë të caktuar”.

Sipas tij, ka raste kur gazetarët nuk i bëjnë publik kërcënimet dhe dëshirojnë që rastet të zgjidhen në rrugë institucionale.

Hysenaj është shprehur se gazetarët zbrapsen për shkak të dy dukurive: nga shantazhet e kërcënimet po edhe nga censurimi i brendshëm.