Podujevë, dy të arrestuar për organizim të bixhozit të paligjshëm

16.07.2019 20:25:06

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona sot në Shakovicë të Podujevës, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.

Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet se Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), gjegjësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion (NJRHKEK) në Prishtinë, pas marrjes së një informate dhe hetimit rreth saj, më 16.07.2019, ka arrestuar dy të dyshuar.

“Hetuesit e NJRHKEK-Prishtinë, në koordinim me organet e drejtësisë, sot në Fshatin Shakovicë Komuna e Podujevës, nga një lokal dhe një shtëpi, kanë konfiskuar dëshmi relevante që lidhen me kryerjen e veprës penale ‘organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’”.

Sipas njoftimit, të dyshuarit (i pari pronar i lokalit, tjetri punëtor në lokal), të cilët janë arrestuar nga policia janë shtetasit e Kosovës, E. H. (1998) dhe  A. H. (1996).

Me aktvendim të prokurorit të rastit, të dyshuarit ndalohen për 48 orë në mbajtje.