Poezi nga Dije Demiri Frangu

04.03.2019 22:27:06

(Ditët arbëreshe, qershor 2017)

Kalabria me gurmazin e larë në mjaltë
Këndonte këngën më të mirë- O lule-lule…
Ishin zgjuar gjethet, gurët dhe ata pak fëmijë
Në shtëpinë e De Radës shtruar kishin dolli
Sa u pikëllova në shkallët e Milosaos
Për këngët fjalërralluar
Si n’ rrjet marimange
Zanoret ishin shurdhuar
Të vajshëm tingujt i binin

Vargu i Zefit nisi e m’u bë litar në fyt
…e akulli më zuri
Sa pak frymë aty kishim dhënë
O si peshë uji turpi m ‘i mbushi sytë
Flamurin e Arbërit kush do ta lexojë?

E kënaqemi mishin e
Pulave braziliane
Me rrëmojsa nga dhëmbët
Duke e larguar

MOTI I MADH NË PRISHTINË
(Profesorit arbëresh, Zef Chiaramonte)

Arbërishten e sjell verave në Prishtinë
T’ i jep pak ujë të shqipes
Si farë e shpërndan amfiteatrit e
Fushave të Kosovës

Me poezitë e thinjura
Për t ‘ia matur temperaturën shqipes
Vjen Zefi i Zefëve
Në ditët gushtovjeshte
Me ecjen e lirë
Sjellë Motin e Madh në Prishtinë dhe arbërishten
Si një venë të vjetër ta ruaj