Policia arreston aktivistin tjetër të Vetëvendosjes, Lirim Gashin

11.09.2016 23:30:09

Vetëvendosje ka njoftuar se Policia e Kosovës ka arrestuar aktivistin e tyre Lirim Gashin.

Ata e kanë quajtur këtë veprim të policisë si vepër e “policisë së Prontos”, përcjellë Indeksonline.

VV ka njoftuar se arrestimi i Gashit ka ardhur pas pjesëmarrjes së tij në rrotullimin e xhipave të EULEX-it në vitin 2009-të.

Në njoftimin e tyre, VV thotë se arrestimet e aktivistëve të tyre nuk do ta ndalin përpjekjen për ç`kapje të shtetit.

Lexoni  njoftimin e plotë të VV-së:

Policia e klanit Pronto ka arrestuar aktivistin Lirim Gashi

Policia e Kosovës ka arrestuar aktivistin Lirim Gashi, për të treguar edhe njëherë se është fund e krye në shërbim të pushtetit. Dhe kësisoji, po e ndihmon pushtetin ta shndërrojë Kosovën në një vend totalitar.

Aktivisti Gashi është arrestuar për shkak të pjesëmarrjes në aksionin e rrotullimit të xhipave të EULEX-it, aksion ky i vitit 2009. Policia vazhdon të merret me raste të tilla të para shumë viteve, e asesi të ndërmarrë diçka në lidhje me krimet e klanit Pronto apo strukturave paralele të Serbisë.

Bëjmë thirrje për lirim të mënjehershëm të aktivistit Gashi, si dhe për ndaljen e këtyre arrestimeve. Këto maltretime dhe kjo shtypje ndaj aktivistëve tanë, s’do të ndalë në asnjë moment përpjekjen tonë për çkapjen e institucioneve dhe çlirimin e shteti nga klani Pronto. Me vendosmëri do të angazhohemi për shtetin e së drejtës dhe kundër kësaj kaste kriminale.