Policia arreston në seancë gjyqësore aktivistin e VV-së, Arianit Beqirin

30.03.2017 14:03:46

Në seancën gjyqësore që po mbahet ndaj aktivistëve të Vetëvendosjes, Frashër Krasniqit, Adea Batushës, Atdhe Arifit dhe Egzon Halitit të akuzuar për terrorizëm, policia ka arrestuar aktivistin Arianit Beqiri.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Lëvizja Vetëvendosje përmes një njoftimi për media.

Arrestimi i Beqirit ka ndodhur teksa po merrte pamje nga seanca gjyqësore.

Policia e Kosovës ka arrestuar aktivistin Arianit Beqiri, i cili ishte prezent me ekipin e mediave të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në seancën gjyqësore ndaj katër aktivistëve. Arrestimi tij ka ndodhur teksa po merrte pamje nga seanca gjyqësore.
Veprimet e tilla të Policisë së Kosovës e paraqesin kontributin që ajo po jep në padrejtësinë që po zhvillohet ndaj Adeas, Atdheut, Egzonit e Frashërit. Mostransparenca e organeve të drejtësisë nuk mund ta mbulojë këtë padrejtësi që po iu bëhet këtyre aktivistëve.