Policia e Kosovës dhe e Shqipërisë me dokument të përbashkët strategjik për vlerësimin e kërcënimeve

08.11.2016 16:27:48

Duke pasur  parasysh zhvillimet e reja dhe kërcënimet nga krimi i organizuar dhe format tjera të krimeve të rënda, Policia e  Republikës së Kosovës dhe Policia e Republikës së Shqipërisë, kanë identifikuar nevojën që të hartohet një dokument i përbashkët strategjik, për vlerësimin e kërcënimeve aktuale dhe parashikimin në të ardhmen nga këto forma të kriminalitetit, në të dy vendet.

“Po ashtu duke synuar të jemi në hap me dokumentin SOCTA të Europol-it, Policia e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Qendrën për Kontrollin Demokratik të Forcave të Armatosura (DCAF), sot përmes një  konferencë të hapur ka bërë lansimin e këtij dokumentit strategjik “Vlerësimi i Kërcënimit nga Krimet e Rënda dhe Krimi i Organizuar”- SOCTA (Serious Organized Crime Threat Assesment), të rëndësishëm për Policinë e Kosovës dhe Policinë e Shtetit Shqiptar “, thuhet në njoftim.

Dokumenti SOCTA sipas tyre,  paraqet  vlerësimin  e  kërcënimit  të trendeve aktuale dhe atyre të reja të pritura të  krimeve të rënda  dhe  krimit  të  organizuar dhe përmban vlerësime të detajuara lidhur me format më të theksuara të krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, përfshirë kërcënimet e përgjithshme të sigurisë, ekonomisë, shoqërisë, por edhe individëve në veçanti.

Vlerësimi  bazohet  mbi njohuritë  ekzistuese , ekspertizën  dhe është bërë  në  mënyrë  që  t’u  mundësojë vendimmarrësve  të  ndërmarrin  veprimet  e duhura, për të iu kundërvënë kërcënimeve të përbashkëta  të parashikuara.

“SOCTA e përbashkët do të jetë një hap i rëndësishëm për të ngritur nivelin e bashkëpunimit në mes të autoriteteve të ndryshme kompetente brenda Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, si dhe do  të  kontribuojë  në  zhvillim  të mëtutjeshëm të synimeve të përbashkëta në parandalimin dhe luftimin e krimeve të rënda dhe krimit të organizuar”, thuhet tutje në njoftim.

Në këtë konferencë kanë marrë  pjesë Zv.Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Naim REXHA, Drejtori i Përgjithshëm për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda nga Shqipëria Ardian ÇIPA, Ambasadori Jan BRAATHU Shef i Misionit të OSBE-se në RKS, përfaqësuesi nga DCAF-i z.Paulo COSTA, znj.Meryse Chureau nga Europoli Ekipa për Analizë Strategjike-SOCTA si dhe  përfaqësues të tjerë nga institucione vendore  dhe ndërkombëtare.

dv8a1824dv8a1845dv8a1861