Policia e Kosovës: Kemi mjete dhe pajisje të mjaftueshme për kryerjen e operacioneve

19.01.2017 15:08:29

Operacionet e Policisë së Kosovës në përgjithësi kanë qenë të suksesshme përgjatë këtyre viteve. Edhe pse njësitet policore vazhdojnë të operojnë dhe veprojnë në gjithë territorin e vendit konform legjislacionit në fuqi, është thënë se ky institucion ende ka nevojë të pajiset me më shumë mjete të rënda.

 

Mirëpo të kontaktuar nga lajmi.net, në Policinë e Kosovës thonë se për realizimin e operacioneve policore kanë mjete të mjaftueshme.

“Në operacione policore marrin pjesë zyrtar policor në numër të mjaftueshëm nga njësitet e ndryshme policore, duke përfshirë mjete dhe pajisje logjistike të nevojshme, të mjaftueshme që posedon dhe ka në dispozicion PK-ja për realizimin e operacioneve”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Mjetet që i posedon ky institucion janë armë të shkurta dhe të gjatat të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, raporton lajmi.net.

“Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe në mandatin e saj ligjor ka për mision ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, sigurinë e përgjithshme, ndër to duke përfshirë edhe kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufijve të shtetit. PK mbetet e përkushtuar në realizimin e të gjitha detyrave dhe obligimeve të saja ligjore dhe kushtetuese”.

Policia e Kosovës aktualisht automjete të rënda të tipit “Cobra”, më të cilat edhe u krye operacioni në veri të vendit për ta ndalur trenin serb.