Policia e Prokuroria intervenojnë në Banjë të Malishevës

19.11.2017 15:56:12

Tre vëzhgues të Nismës për Kosovën në fshatin Banjë të Malishevës janë legjitimuar nga Policia jashtë rrethojës së oborrit të shkollës “Naim Frashëri” që është qendra më e madhe e votimit në këtë fshat.

Prokurori i shtetit, Ramiz Buzhala, tha për KALLXO.com se kanë marrë informatë se në qendrën e votimit në Banjë ka incidente.

“Erdhëm me prokurorin e Krimeve të Rënda, Agron Matjani. Paskën qenë tre vëzhgues të partisë Nisma që paskan mbajtë disa statistika për militantët e partisë që kanë votu. Gjithçka që po ndodhë këtu është jashtë qendrës së votimit. Biseduam me këta, u shpërndanë“, tha prokurori Buzhala.

Tutje, prokurori tha se kanë biseduar me këta persona dhe se u kanë thënë atyre dhe kolegëve të tyre që të mos vinë e të sillen këndej.

Ndërkohë, monitoruesja e BIRN dhe Internews Kosova raporton për prani të shtuar të Policisë në oborrin e shkollës.

Ndërsa, lidhur me tensionet mes Nismës dhe PDK-së në Malishevë, prokurori tha se nuk kanë marrë asnjë ankesë, as nga Policia as nga partitë politike.

Buzhala tha se është hera e tretë sot që vijnë në Banjë jo për shkak të incidenteve por për shkak të informatave jo të sakta.

Zgjedhjet për kryetar këmune po mbahen edhe në komunën e Malishevës.

Në garë janë kandidati i Nismës, Ragip Begaj dhe ai i PDK-së, Mursel Gashi.